Deklaratat e të dërguarit të Londrës për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach se Mbretëria e Bashkuar po intensifikon përpjekjet për t’i shkëputur lidhjet mes politikës, biznesit dhe aktiviteteve të paligjshme si në botë ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar shpallje ‘non grata’ nga Britania e Madhe edhe në Shqipëri, ishin muzikë për veshët e ambasadores amerikane në vendin tonë, Yuri Kim.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ajo u shpreh se SHBA e përshëndet këtë vendim të rëndësishëm.
“Ne e mirëpresim këtë veprim të rëndësishëm të Britanisë së Madhe. Ata që kanë abuzuar me besimin e publikut për të pasuruar veten dhe për të shtrembëruar sundimin e ligjit, me fjalë të tjera, ata që janë përfshirë në korrupsion të madh dhe kanë minuar demokracinë, duhet të përballen me drejtësinë. Askush nuk është mbi ligjin”, thotë Yuri Kim.
Sapo jam kthyer nga një vizitë në Tiranë, Shkup dhe Podgoricë, shkruante më herët Sir Peach, ku kam marrë një mesazh të fortë e të qartë nga qytetarët e të gjithë shtresave, të rinjtë po largohen, të nxitur nga mungesa e mundësive dhe të zhgënjyer nga korrupsioni i rrënjosur.
Në Shqipëri, me Reformën në Drejtësi, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byronë Kombëtare e Hetimit (BKH), kemi hyrë tashmë në një etapë të re dhe Mbretëria e Bashkuar është me ju në këtë përpjekje.
Disa njerëz, të cilët më parë ndiheshin të paprekshëm, sot ndodhen në burg. Por ka të tjerë që vijojnë të veprojnë sikur të ishin të pandëshkueshëm për shkeljet e tyre dhe ndihen sikur ligji të mos zbatohet në mënyrë të barabartë për këdo, shprehej ai teksa njoftonte vendimin e qeverisë.
“Ne si Mbretëri e Bashkuar po intensifikojmë përpjekjet tona për t’i shkëputur lidhjet mes politikës, biznesit dhe aktiviteteve të paligjshme si në botë, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor. Mbështetur mbi regjimin tonë të Sanksioneve Globale Antikorrupsion ne kemi listuar 27 individë të përfshirë në korrupsion serioz në mbarë botën”, tha Sir Stuart Peach.
Pa përmendur se cilat janë emrat shqiptarë të sanskionuar, por duke cilësuar se disa personazhe publike mbështeten nga kriminelët, Peach shton:
“Këtë javë, ne ndërmorën veprime ndaluese kundër disa individëve shqiptarë në lidhje me krimin dhe korrupsionin, të publikuara gjerësisht dhe të dokumentuara. Kjo është vala e parë e një serie veprimesh për të inkurajuar llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”.
Duke raportin e OSBE-së për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të vitit të kaluar, ai evidenton edhe një herë se blerja e votës dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdon të jetë një problem madhor në politikën shqiptare.
“Për aq kohë sa politikanët janë në gjendje të bashkëpunojnë më kriminelët për të blerë votat, për të shantazhuar e kanosur votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë dhe e paplotë. Tani nevojiten ndryshime të tjera si dhe reforma zgjedhore. Për të gjithë ju në Shqipëri dhe në rajon që po luftoni për reformat, kam një mesazh për ju” ne do t`ju mbështesim në reformën tuaj të drejtësisë, e cila ka ndihmuar të largohen zyrtarët e korruptuar dhe ka çuar në ndjekjen penale të figurave të pushtetshme”, tha Peach.
Mesazhi i Mbretërisë së Bashkuar për të gjitha ata që janë përfshirë në krim apo korrupsion është ky; promovimi i krimit dhe korrupsionit, qoftë në Ballkanin Perëndimor apo gjetkë nuk do të jetë pa pasoja dhe ju nuk do të jeni të mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar, theksohet ne mesazh.
Top Channel