Opozita do të votojë pro rezolutës së Dick Martyt ditën e nesërme në Kuvend. Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i PD-së Tritan Shehu, i cili ishte i ftuar ditën e sotme në “Top Talk” me moderatorin Denis Dyrnjaja.

Shehu tha se ashtu siç janë votuar të gjithë rezolutat e kohëve të fundit, do të votohet edhe e nesërmja, pavarësisht se në këndvështrimin e opozitës është gjysmake dhe e paplotë. Deputeti i PD-së tha se edhe rezoluta e Srebrenicës nuk ishte e plotë, pasi sipas tij Rama ka frikë të flasë për genocidin serb prej shkopit të Vuçiçit.

“Ata kanë sjellë një rezolutë, për dënimin e raportit të Dicka Martyt, që është një raport krejtësisht i falsifikuar, krejtësisht joreal, për të fshehur genocidin serb. Idea jonë është kjo, të goditet genocidi serb në radhë të parë, pastaj elementët e tjerë. Megjitahtë po të them se ne nesër do të votojmë pozitivisht asaj resolute. Ne këtë gjë bëmë edhe me rezolutën për Ukrainën, e cila ishte shumë gjysmake, se nuk u dënua Rusia siç duhet dënuar dhe pas dy javësh ia thamë, ishte e tejkaluar. Bëmë të njëjtën gjë edhe për rezolutën kundër Srebrenicës, ku nuk dënoheshin serbët siç duheshin dënuar, por megjithatë e votuam sepse ishte një hap I vogël për[ara. Kështu do të bëjmë edhe nesër. Unë them mendimin tim personal dhe mund të them që jam I bindur që ky do të jetë edhe qëndrimi grupit. Këtë nivel e kemi dhënë në të gjitha rezolutat e kohëve të fundit, pavarësisht se ishin gjysmake, nuk ishin të përputhshme me atë për të cilën ishin bërë. Dhe rezoluta që kemi paraqitur ne është hedhur poshtë dhe kjo është shkelja më flagrante që i është bërë kushtetutës. Rama ka frikë të flasë për genocidin serb prej shkopit të Vuçiçit. ” tha Shehu.

 

Top Channel