Ndërgjegjësimi i pakët nga ana e prindërve dhe dërgimi I fëmijëve në kopshte dhe çerdhe edhe pse të infektuar me Covid 19, ka bërë që qendrat shëndetësore të përballen më një fluks të vegjlish, që po përhapin shpejt Covid-in dhe variantet e tij si BA5, një nënvariant i “Omicron”, që qarkullon prej javësh në vendin tonë.

“Jemi për një rikontroll sot postcovid. Ne si familje e kaluam Covidin. Fëmijët me simptoma tre ditë temperaturë, bashkëshorti 1 ditë. Djali im që e kam sjellë sot te pediatrja është 5 muajsh. Ishte pozitiv I prekur nga Covidi. Kam edhe vajzën 5 vjeçe në kopsht dhe nga kopshti na e solli në shtëpi. Të gjithë patën kollë të thatë, laringit, pak diarre. Kontrollin e parë të djalit e bëra një javë më parë, se mezi po e merr veten, sepse s’e ka mbushur vitin dhe ka sistem të brishtë imunitar.

Nuk përjashtohet edhe mundësia që vajza e ka marrë në lagje duke luajtur me fëmijët, sepse edhe në supermarkete, edhe nëpër lagje nuk ka më kujdes. Njerëzit nuk përdorin më maska, nuk të tregojnë që janë sëmurë që të distancohemi, por e nxjerr fëmijën jashtë pa problem. Dhe në momentin që ti I thua jam me Covid, të përgjigjet: Edhe unë isha, por thjesht dola me ty. Nuk është më si në fillim. Tani edhe ata me Covid dalin pa problem dhe të gënjejnë apo nuk tregojnë. Të thonë është virozë, e neglizhojnë, por që tek fëmijët e vegjël ndikon për keq“, thotë një prind.

“Fëmija ka pak bronkeolit që ka mbetur 1 javë pas Covidit. Kështu që do të vazhdojmë me terapinë, por jo me antibiotikë.

Ankesat e përgjithshme tek fëmijët këtë periudhë janë rrjedhje hundësh, temperaturë subfebrile, mbi 38 e gjysmë, dhimbje fyti, që prindërit përpiqen  ta justifikojnë  duke thënë se ia ka shkaktuar kondicioneri. Një pjesë e madhe e prindërve nuk pranojnë të bëjnë tamponin, madje bëjnë edhe pyetjen: Edhe çfarë se është Covid, ça pastaj? Bëjnë edhe grumbullime, festa, megjithëse e kanë fëmijën apo edhe vetë janë me Covid. Vazhdojnë dhe bëjnë po të njëjtën jetë normale, si para 3 vjetësh kur nuk kemi patur Covid. Pushimet i bëjnë po në të njëjtat data, nuk i shtyjnë edhe sikur fëmija të jetë sëmurë. Nuk I shtyjnë as festat e ditëlindjeve, organizimet, mbrëmjet. I çojnë fëmijët në kopsht, që ditën e dytë, kur nis të bjerë temperatura.

Nuk po themi që të alarmohemi dhe të frikësohemi, por të jenë më të ndërgjegjshëm për simptomat Covidit dhe praninë e virusit dhe varianteve të tij mes nesh“, thotë Besjana Hoxha, mjeke pediatre.

Top Channel