Qytetarët nuk marrin shërbime! Probleme me recetat e ilaçeve, certifikatat e pronësisë, tatimet e regjistrimet në shkolla

19/07/2022 19:47

Serverat e e-albania kanë dalë jashtë funksioni dhe arsyeja zyrtarisht është një sulm kibernetik.

Hakerat me origjinë të panjohur kanë arritur të instalojnë një program në rrjetin e e albania që synonte marrjen nën kontroll. Po zyrtarisht u tha se qëllimi i hakerave është që ta nxjerrin jashtë funksionin të gjithë shërbimin on-line.

Prej një qershorit qeveria shqiptare ka mbyllur çdo zyrë ku lëshoheshin dokumenta apo pranoheshin aplikime për dokumenta. Gjithçka duhet të kalonte nga e-albania. Por le ti marrin me radhë. Mjekët që lëshojnë recetat mjekësore me rimbursim duhet ta bënin këtë shërbim nëpërmjet e albania.

Por këtë shërbim pacientët nuk po e marrin të plotë sepse sistemi i recetave u nxor jashtë funksionit nga mbyllja e e-albanias. Sistemi po përpiqen që ta rikthejnë në punë por deri atëherë të sëmurët me diabet, kardiakët apo me tumore duhet të presin ose të blejnë ilaçet me para në dorë. Zyra e kadastrës ka dalë jashtë loje tërësisht, i gjithë sistemi i dokumentave të pronave bëhet on-line nga noterët por edhe qytetarët por ky shërbim nuk mund të jepet deri në rindezjen e sistemit.

Paditë gjyqësore nuk mund të bëhen, por as regjistrimi i fëmijëve në shkolla. Ndërkohë biznesi është bllokuar tërësisht për shkak se shërbimet që merrte nga tatimet në bashkërendim me e-albanian kanë dalë jashtë funksionit. Shkurtimisht pothuajse pjesa dërmuese e shërbimeve që administrata i jep qytetarëve është paralizuar ose është i mangët.

Zyrtarisht kërkohet durim dhe thuhet se shërbimet do rikthehen së shpejti por nuk ka një afat se deri kur e-albania për të cilën janë investuar dhjetëra milionë euro, do rikthehet në punë. Burime të besueshme i thanë Top Channel se hakerat nuk kanë kërkuar shpërblim monetar, por është vërejtur se ka fshirje të të dhënave. Se sa është ky dëm nuk ka ende një raport, dhe problemi më i madh është  nëse fshirja ka ndodhur tek tatimet apo regjistrat e pronave në kadastër.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA