Pas mbarimit të afatit 10-ditor të vendosur për anulimin e masave të sigurisë, avokatët në disa qytete i janë rikthyer këtë të hënë zhvillimit të tyre.
Sa i përket seancave të tjera gjyqësore, Dhoma Kombëtare e Avokatisë do të mblidhet të enjten për të vendosur.
Kryetari i dhomës së avokatisë në Korçë ka bërë me dije se avokatët do të rikthehen në zhvillimin e masave të sigurisë.
“Rikthehemi në masat e sigurisë dhe në çështjet penale të të miturve, ndërsa vijojmë bojkotin e çështjeve gjyqësore, penale dhe civile. Ky vendim qëndron deri në një mbledhje të dytë të këshillit të përgjithshëm të dhomës së avokatisë. Do vijojmë ne rrugën ligjore kundërshtimin e hartës së re gjyqësore, Rruga jonë është drejt Strasburgut. Jemi në bojkot pa afat”, u shpreh kryetari i dhomës së avokatisë në Korçë, Arben Lena në deklaratë për mediat.
I pyetur nëse po lëshojnë terren me rikthimin në masat e sigurisë, ai tha se do të mblidhen sërish për të vendosur si do të vijojë bojkoti.
“Nuk po lëshojmë terren, ne kthehemi në masat e sigurisë dhe gjyqeve penale të të miturve, mblidhemi përsëri për të vendosur si vijon bojkoti”, tha Lena.
“Harta nuk është pjesë e reformës në drejtësi, Xhafaj u shpreh në formë taksative se është kundër kësaj harte e se nuk është pjesë e reformës në drejtësi. Nuk lëshojmë pe, del VKM, bojkoti s’ka me efekt, VKM kundërshtohet nëpërmjet ligjit, pas kundërshtimit në Shqipëri do i drejtohemi Strasburgut. Do kontaktojmë me dhomës e përgjithshme europiane të avokatisë. Për ekzekutivin nuk kemi shpresë, protesta u bë për interes qytetarëve e jo avokatëve, pati sensibilizim nga qytetarët. Lufta tani është juridike, unë kam besim se do të fitojmë, sepse pavarësisht ky ekzekutiv do mundohet të bëjë presion mbi gjykata shqiptare, unë mendo do ndjekim rrugën ligjore të duhur”, shtoi ai në deklaratën për mediat.
Edhe avokatët e Durrësit vijojnë bojkotin e seancave gjyqësore dhe këtë fillim jave. Sipas kryetarit të Dhomës së Avokatisë Durrës Lorval Petani, bojkoti do të vijojë vetëm për seancat gjyqësore, por avokatët i janë kthyer masave të sigurimit personal, si çështje me karakter të ngutshëm.
Këto masa nga avokatët vijnë si shenjë proteste për kundërshtimin e hartës së re gjyqësore, që shkrin gjykatat e rretheve në atë të apelit në Tiranë. Sipas Dhomave të Avokatisë ky vendim është në dëm të qytetarëve.
Top Channel