Insekti Diabrotica vergitera ka dëmtuar në përqindje të madhe misrin në fushën e Maliqit.

Fermerët bëjnë me dije se nga ky insekt për shkak të infektimit prodhimi i pritshëm do të jetë shumë herë më i ulët se një vit më parë. Për të shpëtuar sa më shumë prodhimin fermerët e kësaj fushe përfshi edhe fermerët potencialë kanë filluar trajtimet shtesë me pesticide të ndryshme por sipas tyre në një fazë si kjo ku ndodhet misri është shumë e vështirë për të dezinfektuar sipërfaqe kaq të mëdha.

Festim Kupe dhe  Yllson Veriu janë dy nga fermerët potenciale të fushës së Maliqit të cilët së bashku kanë mbjellë 120 hektarë misër. Sipas tyre deri tani më shumë se 50% e prodhimit është e dëmtuar por dëmtimi mund të jetë më i madh nëse trajtimet nuk kryhen nga të gjithë fermerët në të njëjtën kohë.

Si njëri dhe tjetri kërkojnë ndihmën e ministrisë për ndërhyrje nga ajri pasi sipërfaqet e infektuara janë shumë të mëdha.

Kryetari i Bashkisë së Maliqit Gëzim Topçiu i kërkon Ministrisë së bujqësisë të bëjë dezinfektimin e tokave para mbjelljeve të kulturave bujqësore ndërkohë që e përjashton mundësinë e ndërhyrjes nga ajri për dezinfektimin e sipërfaqeve të mbjella me misër.

Vetëm në bashkinë e Maliqit janë mbjellë më shumë se 3000 hektarë me misër. Pjesa më e madh e kësaj sipërfaqe është e infektuar.

 

Top Channel