Komiteti Olimpik i Kosovës: Serbia pamundëson pjesëmarrjen e Kosovës në kampionatin e pingpongut

16/07/2022 21:28

Komiteti Olimpik i Kosovës, tha të shtunën se ekipi përfaqësues i pingpongut nuk është lejuar të marrë pjesë me të drejta të barabarta në Kampionatin evropian të Pingpongut U-21 të mbajtur në Beograd të Serbisë.

Në një njoftim të Komitetit Olimpik të Kosovës thuhet se politika serbe po vazhdon të përzihet në sport, duke diskriminuar sportistët e Kosovës. “Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Pingpongut të Kosovës gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian, për çka dënojmë veprimin e radhës të përzierjes së politikës serbe në sport, e që nuk është rasti i parë, kur bëhet fjalë për sportistët tanë”.

Komiteti Olimpik tha se shpreson që “Federata Evropiane e Pingpongut (ETTU), të marrë masat e nevojshme ndaj organizatorit të evropianit, në këtë rast Serbisë, me besimin se diskriminimet e tilla do të marrin fund një herë e përgjithmonë”, thuhet në reagim.

Edhe Federata e Pingpongut e Kosovës përmes një reagimi tha se moslejimi i pjesëmarrjes së Kosovës në Kampionatin Evropian për të Rinj me të drejta të barabarta sikurse çdo anëtar tjetër i Federatës Evropiane të Pingpongut, përbën shkelje të rëndë dhe se do të përdorë mjetet juridike në të gjitha mekanizmat gjyqësore sportive.

Autoritetet në Serbi nuk kanë dhënë ndonjë sqarim për këtë çështje.

Vendimi i autoriteteve serbe nxiti reagime të ashpra të autoriteteve në Kosovë sipas të cilëve ndalimi ishte i papranueshëm.

Ministri i Kulturës dhe Rinisë në qeverinë e Kosovës, Hajrullah Çeku tha gjatë një konference me gazetarë se kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të sportistëve dhe e konventave ndërkombëtare të sportit.

“Serbia vazhdon me destruktivitet dhe për këtë ne jemi duke i njoftuar të gjitha instancat relevante evropiane. Organizatat tona sportive do të procedojnë me veprime ligjore në institucionet përkatëse ndërkombëtare”, tha ministri Çeku.

Zoti Çeku tha se institucionet e Kosovës do të mbështesin federatat e sportit në, siç tha ai, betejë ligjore me Serbinë.

“Do të jemi mbështetëse për organizatat tona sportive që t’i adresojmë në rrugë ligjore, ndërkombëtare këto shkelje të shtetit të Serbisë në raport me sportistët e Kosovës sepse Serbia është shndërruar në një recidivist në raport me shkeljen e të drejtave të sportistëve tanë, kjo nuk është hera e parë që sportistët tanë po u mohohet e drejta për të marr pjesë në kampionate ndërkombëtare”, tha ministri Çeku.

Nuk është hera e parë që tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndikojnë në veprimtaritë sportive. Autoritetet serbe shpesh i këshillojnë sportistët e tyre që të bojkotojnë ceremonitë ku janë të përfshirë sportistët e Kosovës.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës, në këmbim të integrimit në Bashkimin Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA