Kriza në Malin e Zi, Borell e Varheyi në Podgoricë, mbështesin linjën e Abazoviç

15/07/2022 12:36

Nga Podgorica, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe komisioneri për zgjerimin Olivér Várhelyi e përgëzuan Malin e Zi për mbështetjen dhe rreshtimin përkrah politikave të bllokut në sanksionimin e Rusisë dhe dënimin e pushtimit të Ukrainës e i kërkuan kombit të vogël ballkanik që të vazhdojë me reformat e nevojshme për të avancuar drejt anëtarësimit në BE-së, duke nënkuptuar kështu dhe një përkrahje të linjës së ndjekur nga kryeministri Dritan Abazovic, i cili më herët u ofrua të japë dorëheqjen.

Ai e shprehur këtë gatishmëri pasi partia Mali i Zi Demokratik tha se do të duhej ta bënte një gjë të tillë sapo të përfundojë procesi i zgjedhjeve të organeve të drejtësisë.

“Të gjithë duhet të kemi një konsensus më të gjerë për zhbllokimin e gjyqësorit, të Gjykatës Kushtetuese. Le të kontribuojmë të gjithë për këtë dhe të themi: ‘Mirë, po shkojmë në zgjedhje të reja. Por para kësaj, le të bëjmë një punë të përbashkët. Nëse kolegët demokratë, nëse e kam interpretuar saktë njoftimin, mendojnë kështu, unë jam gati të jap dorëheqjen”, tha Abazoviç për “Vijesti”.

Ai është kritikuar së fundi nga partitë në Mal të Zi, edhe nga partnerët qeveritarë, ndërsa ka humbur besimin në Kuvend të partisë së presidentit Milo Gjukanoviç për shkak të marrëveshjes për themelimin e Kishës ortodokse serbe në Mal të Zi.

Por në raport me politikën e jashtme, linja e kryeministrit shihet me sy të mirë në Bruksel. Borrell e falënderoi Malin e Zi për “rreshtimin në përputhje të plotë me vendimet e politikës së jashtme të BE-së”, pasi vendi iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe sfidoi Moskën.

Abazoviç këmbënguli se anëtarësimi në BE mbetet opsioni i vetëm për Malin e Zi. Ai premtoi se do të kërkojë mbështetje më të gjerë për reforma të mëtejshme.

Top Channel