Kapërcimi i shifrave të personave të infektuar me Covid ka alarmuar edhe mjekët, të cilët po ndiejnë ngarkesën e madhe që po krijohet jo vetëm duke i vizituar fizikisht në qendrat shëndetësore qytetarët e prekur, por edhe nëpërmjet telefonit ku kontaktet me pacientët vijojnë dhe jashtë orarit zyrtar të punës deri në orët e vona.
Ata bëjnë thirrje që qytetarët të shkojnë të vaksinuar për t’ i paraprirë situatës që mund të rëndohet më shumë në vjeshtë.
Ndonëse në shumë vende autoritetet shëndetësore kanë filluar të alarmohen madje duke diskutuar edhe kthim të masave parandaluese me qëllim frenimin e përhapjes, në Shqipëri edhe përdorimi i maskës në ambientet e mbyllura është lënë në ndërgjegjen individuale, jo më e detyrueshme.
OBSH u ka kërkuar qeverive të kthejnë vëmendjen te pandemia, pasi nuk po e menaxhojnë si duhet. Instituti i Shëndetit Publik ende nuk ka konfirmuar se cili nënvariant i “Omicron” po shkakton këtë kapërcim shifrash, ndërkohë që një tjetër mutacion, BA2 75 është shfaqur i cili është shumë herë më infektues se BA4.
Top Channel