18-vjeçari që u mbyt këtë të enjte teksa u zhyt në det për të shpëtuar dy të mitur, njëri prej të cilëve ishte vëllai i tij, ishte futbollist në Akademinë Shqiponjat 2017.
Të miturit rrezikonin mbytjen, ndaj Anri Kashiku nuk hezitoi të shkonte për t’i shpëtuar. Një grup të rinjsh dhe adoleshentësh kishin shkuar në plazh për të kaluar ditën, por pas mesditës deti me dallgë ka vënë në rrezik dy të mitur dhe 18-vjeçari Anri Kashiku ka shkuar të shpëtojë të vëllanë dhe shokun e tij. E ndërsa të miturit kanë dalë në breg me ndihmën e tij dhe të personave të tjerë, i riu nuk ka mundur. Dallgët e kanë zhvendosur trupin e tij dhe menjëherë është njoftuar policia kufitare e cila ka nisur kërkimet për shpëtimin e tij. Po rreth orës 15.00 trupi i tij u gjet pa jetë në det. I lindur në Librazhd dhe banues në Sektorin “Rinia” të Durrësit, 18-vjeçari Anri Kashiku aktivizohej me një ekip futbolli për të rinj, po përveç këtij sporti kishte pasion dhe notin.
Në ambientet e jashtme të spitalit të Durrësit, familjarë dhe të afërm të tij janë mbytur në dhembje dhe ulërijnë për fatin e të riut që u mbyt bashkë me ëndrrat e tij, ndërkohë dy të miturit ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Ngjarja tragjike nxori sërish në pah një problematikë të hershme, atë të pasigurisë në plazhe, ku ndonëse është detyrim ligjor vrojtuesit e plazheve mungojnë. Autoritetet publike dhe private sfidojnë hapur detyrimin ligjor për praninë e vrojtuesve në plazhe. Kullat e vrojtimit vazhdojnë të qëndrojnë bosh dhe pas mbytjeve që ndodhin çdo sezon në det.
Top Channel