408 studentë përmbyllën me sukses studimet e tyre 3-vjeçare, në dhjetëra profile e programe të ndryshme që ofrojnë 5 fakultete te Universitetit Europian të Tiranës.
Në ambientet e Amfiteatrit të Tiranës, të sapodiplomuarit festuan suksesin dhe dijen, në një ceremoni me shumë surpriza. 13 korriku ishte një ditë me shumë gëzime edhe për vetë universitetin, teksa rektori lajmëroi përmbylljen me sukses të akreditimit institucional periodik nga një agjenci britanike.
“Kam kënaqësinë të ndaj me ju sonte se UET sapo përmbylli me sukses akreditimin institucional në 16 vite, atë që njihet si akreditimi periodik. Në ndryshim nga institucionet e larta të tjera publike ose jopublike, e realizoi këtë proces me një agjenci të huaj, atë të Sigurimit të Cilësisë në Britaninë e Madhe”, tha rektori Prof. Dr. Tonin Gjuraj.
“UET do ju jetë pranë me të gjitha zyrat e saj mbështetëse për të mundësuar një integrim sa më të shpejtë në tregun e punës. Por më shumë se kaq, rreth 15 mijë studentë të diplomuar në UET në të gjithë ciklet e studimeve janë rrjeti ynë i fuqishëm ndihmues për brezat e të sapodiplomuarve”, u shpreh Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, President I UET.
“Gjatë këtyre viteve, pata fatin të takoj shumë prej jush, të dëgjoj nga pranë çdo pretendim, shqetësim dhe vërejtje. Më besoni, çdo fjalë e juaja na ka shërbyer për t’i bërë gjërat më mirë, në funksion të progresit dhe zhvillimit në këtë vend. Kini kurajon t’i thoni gjithmonë të vërteta tuaja! Do ta habiteshit sesa ndryshim do të sillnin”, tha Tildi Çadri, administratori i aktual i UET.
Përveç hedhjes së kapeleve në ajër, festa e diplomimit shënoi edhe një moment emocionues për studentët, pedagogët dhe të afërmit e tyre. Një nga studentët e sapodiplomuar i bëri të dashurës së tij propozimin për martesë.
Top Channel