Rrëzimi i dekretit për Butrintin, Meta: Për arsye të errëta dhe korruptive

12/07/2022 13:44

Presidenti Ilir Meta e quajti sjellje arrogante rrëzimin e dekretit të tij për Marrëveshjen për Administrimin e Parkut të Butrintit. Sipas tij, maxhoranca veproi në këtë mënyrë për arsye të errëta dhe korruptive.

“Na risolli edhe një herë një sjellje arrogante në raport me konsultimin me dëgjesën ne ekspertë të fushës dhe shoqëria civile, të cilët u përjashtuan  në  një mënyrë brutale, kjo tregon qartë që deputetë që kanë vepruar në këtë mënyrë janë diktuar politikisht. Vetëm për arsye të errëta, korruptive dhe motive edhe më të thella se sa kaq. Nuk kemi të bëjmë me një rast të veçantë, por vazhdimësi sistematike jo vetëm të trashëgimisë kulturore në Tiranë, por edhe Durrës dhe vende të tjera. Do doja që deputetët ti dëgjojnë argumentet që kanë të bëjnë me shkeljen e Kushtetutës, Konventave dhe shumë akteve të tjera”, tha Meta.

Kujtojmë se dekreti i presidentit Ilir Meta për marrëveshjen për Administrimin e Parkut të Butrintit u rrëzua sot në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Shqyrtimi i Dekretit të presidentit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nën zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e parkut kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit” u shoqërua me debate mes deputetes demokrate Ina Zhupa dhe drejtuesit të komisionit, Eduart Shalsi.

Presidenti theksoi se praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij. Projekt ligji që përfshin administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore nga Fondacioni jo shtetëror shqiptaro- amerikan për Zhvillim ka ndezur debat jo vetëm në komision, por edhe në Kuvend.

Ndër të tjera Meta u ndal edhe në denoncimet e bëra publike për inceneratorët, për të cilën ftoi Kuvendin të merret seriozisht me këtë çështje.

“Lajmet e fundit që dolën edhe dje ku përveç pensionistëve në azile që figurojnë në mënyrë pa ditur me veprime që kapërcejnë mbi 30 mln euro. Dhe së fundi për fat të keq për të kuptuar dramaticitetin dhe imoralitetin e tejskajshëm të kësaj babëzie, që është babëzia e shekullit, dje u zbuluan fakte edhe për një qytetare të ndjerë, vdekur para 5 vitesh, në emër të së cilës janë kryer transaksione. Kjo është ulëritëse.

Një shtet që deklaron se nuk kemi c’ti bëjmë zjarrit se nuk kemi lekë të blejmë një helikopter, ndërkohë në sytë e opinionit publik shohim një situatë kaq të rëndë të korrupsionit e cila është edhe më poshtëruese për çdo qytetar të këtij vendi, kur shohim se në këtë kohë krize kur duhet rritur mbështetja për qytetarët në nevojë, shohim që askush nuk mban përgjegjësi. Çfarë është ky sistem bankar që pranon firma të tilla të të vdekurve. Çfarë është QKB, noterë, ku është krimi ekonomik, pastrimi i parave, kush mban përgjegjësi. Si mund të vijojë afera e inceneratorëve, kur duhet që të gjitha këto para shkojnë për llogari të krimit. Është një situatë dramatike, ftoj Kuvendin të merret seriozisht, ende nuk ka nisur maja e ajsbergut të evidentohet me inceneratorët“, përfundoi Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA