Qeveria gjermane e shqetësuar, reduktimi i gazit nga Rusia mund të bëhet i përhershëm

11/07/2022 14:01

Furnizimi me gaz rus në Gjermani nëpërmjet gazsjellësit “Nord Stream 1” në Detin Baltik është ndërprerë për 10 ditë.

Operatorët e tubacionit të mbështetur nga Rusia thonë se masa është për shkak të punës vjetore të mirëmbajtjes, por ministrat gjermanë besojnë se mbyllja është e motivuar politikisht për të ushtruar presion mbi Berlinin.

Muajin e kaluar, ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck tha se presidenti rus Vladimir Putin po përdor gazin “si armë” në përgjigje të sanksioneve të BE-së.

Në mesin e qershorit, firma shtetërore ruse e gazit Gazprom shkurtoi rrjedhat e gazit përmes “Nord Stream 1” në vetëm 40% të kapacitetit të tubacionit.

Qeveria gjermane është e shqetësuar se furnizimet me gaz mund të reduktohen ose të ndërpriten përgjithmonë.

Sipas BBC kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, ka paralajmëruar se Rusia mund të ndërpresë plotësisht furnizimin me gaz në Evropë dhe se Evropa duhet të përgatitet tani.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt, Gjermania ka reduktuar varësinë e saj nga gazi rus nga 55% në 35% dhe dëshiron të ndalojë plotësisht përdorimin e gazit nga Rusia.

Por nëse furnizimet ruse ndërpriten papritur brenda natës, kjo mund ta çojë Gjermaninë në një recesion të madh, sepse industri të tëra mbështeten në gaz dhe shumica e shtëpive gjermane e përdorin atë për ngrohje.

Objektet e magazinimit të gazit në Gjermani janë aktualisht rreth 64% plot, raporton transmetuesi gjerman ZDF.

Familjet gjermane dhe shërbimet kryesore si spitalet do të kenë përparësi për furnizimin me gaz sipas një plani të urgjencës së qeverisë.

Top Channel