Kina shtyp protestën masive, njerëzit kërkojnë kthimin e kursimeve të jetës nga bankat

11/07/2022 10:30

Autoritetet kineze të Hong Kongut të dielën shpërndanë me dhunë një protestë paqësore nga qindra njerëz të cilët më kot, kërkuan të merrnin kursimet e tyre të jetës nga bankat që janë përballur me një krizë të thelluar të parave.

Që nga prilli, katër banka rurale në provincën qendrore Henan të Kinës kanë ngrirë depozita me vlerë miliona dollarë, duke kërcënuar jetesën e qindra mijëra klientëve në një ekonomi tashmë të goditur nga bllokimet e Covid.

Depozituesit e shqetësuar kanë organizuar disa demonstrata në qytetin e Zhengzhou, gjatë dy muajve të fundit, por kërkesat e tyre kanë rënë vazhdimisht në vesh të shurdhër.

Të dielën, më shumë se 1,000 depozitues nga e gjithë Kina u mblodhën jashtë degës Zhengzhou të bankës qendrore të vendit, Banka Popullore e Kinës, për të nisur protestën e tyre më të madhe deri më tani.

Demonstrata është ndër më të mëdhatë që ka parë Kina që nga pandemia. Muajin e kaluar, autoritetet e Zhengzhou madje kryen ndërhyrje në sistemin dixhital të kodit shëndetësor Covid të vendit për të kufizuar lëvizjet e depozituesve dhe për të penguar protestën e tyre të planifikuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA