Miliona ton grurë prej muajsh janë bllokuar në portet e Ukrainës që nga nisja e pushtimit rus.
Lufta midis dy vendeve solli rritjen e çmimit të drithërave në të gjithë botën. Pas tre dekadash në Shqipëri, çmimi i grurit u rrit me 20 lekë për kilogram.
“Pas 30 vitesh është rritur çmimi i grurit. Vitet e e kaluara e kemi shitur me 30 lekë për kilogram, ndërsa kësaj herë 50 lekë për kilogram, por kjo nuk do të thotë se ne si fermerë fitojmë më shumë, duke pas parasysh se janë rritur shumë shpenzimet e imputeve bujqësore“, shprehet fermeri Ilir Cara.
Ilir Cara, nga fshati Jubë i Durrësit, në një sipërfaqe prej 10 hektarësh ka mbjellë grurë dhe misër. Me shpresën se çmimi i grurit do të ndryshoj sërish për mirë, Iliri preferoi që kësaj herë të mos e shesë të gjithë sasinë grurit.
“Grurin nuk e kemi shitur të gjithë, kemi shitur një pjesë sa për të likujduar ato borxhe që kem pas tek plehrat kimike, sepse nuk ka as interes dhe as çmim“, shprehet ai.
Ndërkohë që kostot e prodhimit të drithërave janë rritur, fitimi edhe kësaj here mbetet i pakët. Shpresa e Ilirit është që çmimi të ndryshojë sërish, por kësaj herë në favor të fermerit.
“Çmimi ideal do të ishte tek 65 mijë lek kuintali grurit që të dalim disi të kënaqur që të mbjellim vitin tjetër“, shton Cara.
Iliri dhe kolegët e tij këtë vit do të fitonin më tepër para nëse nafta pa taksa do të shkonte tek fermerët para sezonit të korrjes.
“Për grurin ne e kemi futur autokombanjën atëherë kur nafta ishte 260 lekë.”
Për të ulur kostot e prodhimit të drithërave, sipas fermeri Ministria e Bujqësisë naftën pa taksa duhet ta shpërndaje tek fermerit para ardhjes së pranverës.
“Koha ideale për naftën do të ishte në fund të shkurtit, pranvera ka fushatë të madhe plugim, frezim, mbjellje, plehrat kimike që do blihen për grurin, elbin tërshërën. “
Në vendin tonë shtohet numri i serave me perime, dhe tkurret sipërfaqe e të mbjellave me drithëra, sepse fabrikat e miellit kërkojnë që grurin e fermerit shqiptarë ta blejnë më lirë se sa grurin e fermerëve nga Rusia dhe Serbia.
Top Channel