Vonesat në procesin e rindërtimit dhe akt-ekspertizat e ndryshme që kundërshtojnë njëra-tjetrën mbi nivelin e dëmit të pësuar nga tërmeti vazhdojnë të shqetësojnë shumë banorë të Durrësit.

Një ditë më parë Instituti i Ndërtimit ka hapur dritën jeshile për të ndryshuar vendimin për shembjen e këtij pallati 11-katësh në lagjen nr.5 të qytetit bregdetar, duke i kërkuar bashkisë Durrës të vlerësojë sërish me ekspertë pretendimet e banorëve për një ekspertizë sipërfaqësore mbi bazën e së cilës është marrë vendimi për shembje.

”Analiza e betonit dhe hekurit ka dalë optimale. I vetmi problem është një projekt i studios Arkon që nuk ka marrë për bazë as projektin fillestar të pallatit me pilota dhe ka thënë që është dhe me bodrume që nuk ka. Gabimisht matjet, gabimisht bodrumet, gabimisht pllaka beton, ndaj jemi të shqetësuar”.

”Instituti ka thënë se nëse pallati ka pilota poshtë, përqindja që ata kanë nxjerrë prej 83.4 për demontim mund të rrëzohet. Bashkia duhet të vejë në lëvizje firmën që të zbulojë që pallati ka pilota poshtë, ose të na thotë ta bëjmë ne si banorë”.

I ndërtuar në vitin 2004, ky pallat u vlerësua fillimisht në nivelin e dëmit DS3 dhe të gjitha familjet përfituan grantin prej 500 mijë lekësh për riparimin e apartamenteve, po një tjetër akt-ekspertizë vendosi që objekti të shembet. Për shkak të distancës së papërfillshme me objektet e tjera të banimit rreth e rrotull, shembja dhe rindërtimi i pallatit në të njëjtin vend është thuajse i pamundur. Ndaj banorët i kërkojnë bashkisë të realizojë një tjetër vlerësim për dëmin real të pallatit dhe shpëtimin e tij.

”Të bëhet një projekt studim i mirëfilltë, jo me mangësira. As ne nuk duam të rrezikojmë jetët tona. Duke mos pasur këtë bindje ne besojmë se është bërë një projekt sipërfaqësor që të shembin pallatin dhe të na degdisin në kënetë. Kjo është zonë në mes të Durrësit dhe m2 është më i shtrenjtë se në kënetë. Ne këtë shtëpi e kemi blerë me gjak.”

Në të njëjtën situatë ndodhen dhe qytetarë të tjerë në Durrës ku pallatet janë ndërtuar ngjitur me njëri-tjetrin pa respektuar distancat e përcaktuara me ligj. Në këto kushte, familjet e prekura nga tërmeti mund të zhvendosen përfundimisht në periferi të Durrësit, në Spitallë atje ku po ndërtohet një zonë e re zhvillimi, apo dhe në objektet e tjera në ndërtim në lagje periferike të Durrësit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA