
Në Kosovë të gjithë personat mbi 60 vjeç tashmë do të mund të marrin dozën e katërt të vaksinës kundër koronavirusit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Ministria tha më 7 korrik se ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim të popullatës me vaksinën kundër COVID-19. Sipas këtij vendimi, personat mbi 60 vjeç, që kanë marrë dozën e tretë të paktën katër muaj më parë, mund ta marrin edhe dozën e katërt.
Në Kosovë, me dozën e parë dhe të dytë mund të vaksinohen të gjithë personat mbi 12 vjeç. Ndërkaq, me dozën e tretë të gjithë personat mbi 18 vjeç.
Kosova së fundmi po regjistron rritje të rasteve me sëmundjen COVID-19.
Deri më tani janë administruar mbi 1.8 milion doza të vaksinës. Prej kësaj shifre, 103,344 persona kanë marrë tri doza.
Që prej marsit të vitit 2020, kur në kosovë u regjistruan rastet e para e deri më 6 korrik 2022, vendi ka regjistruar më shumë se 230 mijë raste me koronavirus dhe më shumë se 3 mijë vdekje.
Top Channel