Vala e dorëheqjeve, Johnson lufton për mbijetesë politike: Nuk iki!

06/07/2022 15:50

Britania e Madhe e gjen veten në një krizë të thellë qeveritare pas dorëheqjes së dy ministrave, atij të  Financave, Rishi Sunak dhe atij të Shëndetësisë, Sajid Javid, që dorëzuan postet një ditë më parë.

Javid në dorëheqjen e tij shkruante se e kishte të qartë: që situata nën drejtimin aktual nuk do të ndryshojë, dhe për këtë arsye, shefi i ekzekutivit e ka humbur besimin e tij.

Nën kryeministrin Boris Johnson, partia konservatore britanike nuk shihet më në opinion si parti e drejtuar nga vlerat, e as si forcë që i shërben qëllimit kombëtar.

Javid mendon se as pas mocionit të mosbesimit, Johnson nuk zuri mend që të ndryshonte kurs.

Dorëheqjet erdhën pak minuta pas një sherri mbi vendimin e tij për të caktuar zv/kryetarit ekzekutiv të konservatorëve Chris Pincher, i cili në fund të javës së kaluar dha dorëheqjen, pas ngacmimit seksual të dy burrave.

Johnson kërkoi falje dhe e pranoi se vendosja e Pincher në post ishte një gabim. Megjithatë, ai duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet vetë nga posti i kryeministrit, por do të vazhdojë betejën për mbrojtjen e lidershipit të tij.

Ligjvënësve në parlamenti britanik, ai u kujtoi sesi në këto momente, Europa po përballet me luftën e saj më të madhe ne 80 vjet, dhe ai nuk do të tërhiqet nga përgjegjësitë e tij.

“Mua mu dha një mandat kolosal dhe do të qëndroj për të fituar edhe zgjedhjet e tjera të përgjithshme. Puna e kryeministrit është të vazhdojë të bëjë detyrën, dhe kjo është ajo që unë do të bëj”, tha Johnson.

Johnson i zëvendësoi shpejt dy ministrat, duke ngritur zotin Nadhim Zahawi nga departamenti i arsimit në postin e shefit të Thesarit dhe duke vendosur shefin e kabinetit të tij, Steve Barclay, në postin e sekretarit të Shëndetësisë, por rreziku për të, vazhdon të mbetet i lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA