Nisur nga situata epidemiologjike ku është vënë re një rritje e rasteve pozitive me Covid19, është mbledhur Komiteti Teknik i Ekspertëve, të cilët e kanë konsideruar emergjente kryerjen e dozës së tretë të vaksinës për uljen e pasojave dhe fataliteteve si dhe rekomanduan mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura.
Prof. Mira Rakacolli, bëri apel në emër të Komitetit Teknik të Ekspertëve që të bëhet doza e tretë e vaksinës.
Komiteti i Ekspertëve ka rekomonduar mbajtjen e maskave aty ku nuk është e mundur të ruhet distancimi fizik.
“Komiteti vazhdon rekomondon fuqishëm për të mbajtur maskën në ambientet e mbyllura, aty ku nuk mund të ruhet edhe distancimi social, sidomos kjo e vlefshme për personat të cilët janë me sëmundje, personat të cilët janë edhe të moshuar”, tha Rakacolli.
Gjithçka është në përputhje me rrjedhën epidemiologjike. Nuk është rasti për të propozuar masë tjetër veç vaksinimit, tha epidemiologia Eugena Tomini.
Prej ditësh tashmë vendi ynë po përballet me rritje të rasteve me Covid, ndërsa një ditë më parë kishte 974 të infektuar në vetëm 24 orë. Aktualisht në spitalin COVID3 po marrin trajtim 24 pacientë, ndërsa janë 4,235 qytetarë aktivë me Covid 19 në gjithë vendin.
Vendi ynë ka shënuar 283.811 raste pozitive që prej nisjes së infektimit të qytetarëve me COVID, ndërsa janë shëruar 276,070 persona. Aktualisht janë 4,235 raste aktive, ndërsa 3.506 qytetarë nuk kanë mundur t’i mbijetojnë armikut të padukshëm.
Top Channel