I kërkuari nga Policia e Kosovës, Milan Radojçiç të martën, nga një kodër në Leposaviq dha një mesazh për reciprocitetin.
Nënkryetari i Listës Serbe, i paralajmëroi serbët se po fillon një terror ndaj tyre nga Qeveria e Kosovës.
“Terrori i vërtetë ndaj popullit serb po fillon. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, më lejoni t’ju them, edhe të tjerëve, unë jam këtu. Jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia!”- tha Milan Radojçiç, Nënkryetar i Listës Serbe
Ndaj Radojçiç, Gjykata ka lëshuar një urdhër arrest për tentim frikësimi të dëshmitarëve në rastin “Brezovica”, rast ky për korrupsion dhe ndërtime të paligjshme.
Radojçiq i njohur edhe si bosi i krimit në Veri, me urdhër arrest aktiv, me tu paraqitur në territorin e Kosovës do të duhej të arrestohej. Por sipas prokurorit të rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, Radojçiç në Kosovë nuk ka hyrë në mënyrë legale kësisoj nuk dihet vendqëndrimi i tij.
E ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj kërkon që të zbatohet urdhri i gjykatës.
Milan Radojçiç ka edhe urdhër arrest mbi dyshimet për përfshirjen në vrasjen e kundërshtarit të tij, Oliver Ivanoviç. E në shkurt të këtij viti arriti tu ikë policisë kufitare në Bërnjak, sipas zyrtarëve policor ata kishin kërkuar t’i kryheshin kontrollet e nevojshme, por që u largua me shpejtësi.
Përpos kësaj, Milan Radojçiç është pjesë edhe e listës së zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të krimit të organizuar.
Top Channel