Deputeti demokrat Ervin Salianji u shpreh për mediat pas gjyqit ndaj tij se drejtësia nuk ka zbatuar detyrat e saj duke mos vepruar në mënyrë të barabartë.
“Manipuluan procesin me një dëshmitar të rremë , një Agron Hyseni, prokuroria dhe policia donin ta fusnin për dëshmitar të rremë, nuk kishte asgjë të ngjashme, ai ishte i ngjashëm me zërin e të denoncuarit të PD, të denoncuarit prej meje, të nesërmen i akuzuari vëllai shkoi për të kryer dënimin, por institucionet nuk bënë punën e tyre, por u morën me denoncuesit. Ne jo vetëm i qëndrojmë, por ish Prokuroria e Krimeve të Rënda fakton ato që denonconim. Nuk ka ende një hetim pasuror si vëllai i një subjekti të OFL-së, ligji nuk është i barabartë për të gjithë, mjafton të kesh lidhje me PS-në. Çdo vendim do të zbatohet unë jam duke thënë atë me fakte dhe prova që nuk ka një gjykatë që e merr parasysh. Ata që janë marrë me çështjen ose janë larguar ose kanë dhënë dorëheqjen. Sot ata nuk janë në sistemin gjyqësor, por padyshim që kjo çështje do të shkojë në të gjitha instancat gjyqësore, jam i bindur që do të ketë. Detyrën time e kam bërë. Edhe një milionë herë të më vinte një milionë herë do ta denoncoja. Personat që përmendi nuk i kam njohur kurrë nuk ka një komunikim, nuk mund të bëhet një kallëzim I rremë, ka zero kontakt, kur ka dhjetëra komunikime me drejtorin e Fierit, me prokurorët, me Gent Osmanin dhe janë tabulate telefonike që kanë ardhur në Prokurori, komunikimet me Babalen. Komunikimet e shpeshta janë në tabulate dhe nga qeliza telefonike që do të jenë të plota dhe do të bëhen publike, në qelizat telefonike nuk ka si të bëhen tre njerëz bashkë. Nga ku është kapur është lokali i njohur i Geron Xhafajt. Unë do të shpallem i pafajshëm, koha na ka dhënë të drejtë janë me përgjime zyrtare, ai i jepte para dhe jepte urdhra, janë të njëjtët zyrtarë policisë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe kur denoncoja kanabisin. Nuk ka qenë një betejë personale, por e opozitës. Do të kem kohë që ta sqaroj këtë”, tha Saliaji.
Në lidhje me praninë e deputetëve që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha dhe mungesën e Lulzim Bashës, ai tha: Nuk i kam bërë ftesë se s’kam qenë në dasmë se s’kam pasur rast gëzimi, unë nuk përjashtoj njeri apo ftoj njeri gjithsecili e ndjen vetë se si pozicionohet, unë kam detyrimin të mbaj përgjegjësi për pozicionin që kam, nuk besoj që ka marrëveshje të tjera, të ish-drejtuesit të PD, unë këtu jam dhe do të flas siç kam folur përherë me fakte.
Procesi në Apel ndaj deputetit Salianji u shty, pasi mungoi një prej gjyqtarëve, Elona Toro.
Gazetarja Anila Hoxha, e cila ndoqi nga afër procesin e sotëm tha për Top Channel se në seancë sot nuk ishte I pranishëm viktima nga vepra penale, Geron Xhafaj, si edhe gazetari Jetmir Olldashi. Në këto kushte gjykata kërkoi të vihen në dijeni duke caktuar seancën e radhës më datë 18 korrik.
Kujtojmë se Ervin Salianji është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg. Apeli pritet të vendosë në seancën e 18 korrikut, nëse do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke e dënuar me burg deputetit Ervin Salianji, apo do të japë një dënim alternativ.
Autori i audiopërgjimit Albert Veliu u dënua me 3.5 vite burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 100 orë shërbim prove. Salianji është shoqëruar në gjykatë nga deputetë të PD, mbështetës të ish kryeministrit Berisha.
Top Channel