Claydee është këngëtari i dhjetëra hiteve ndërkombëtare, që me talentin e tij ka fituar miliona fansa në botë.
I lindur në Shqipëri dhe i rritur në Greqi, ai është një nga artistët shqiptarë më të njohur ndërkombëtarisht me këngë solo dhe bashkëpunime që numërojnë miliarda shikime në “Youtube” dhe në platformat e tjera.
Këtë mbrëmje, i ftuar te binjakët në emisionin “Më lër të flas”, Claydee kujtoi fillimet e karrierës së tij dhe periudhën e vështirë në Greqi, kur i duhej të përballej me racizmin.
“Fillimi ka qenë i vështirë, si të gjithë njerëzit. Racizmi gjithmonë ekziston, por ka të bëjë shumë familja dhe e kupton shumë shpejt që të gjithë njerëzit janë njësoj dhe ke mundësi të tregosh kush je me punën tënde, me gjërat që bën dhe duhet të vlerësosh shpirtin e njerëzve.
Në Greqi, në fillim ka qenë vështirë, por kur rezultatet dhe puna që dashuron dhe e bën me shumë pasion dhe krijon diçka të suksesshme, suksesin e duan të gjithë dhe aty mbaron racizmi, të gjithë të duan”.
Ndonëse i rritur në shtetin helen, artisti flet mirë shqip, ndërsa thekson se nuk udhet të harrojmë nga vijmë.
“Dy vitet e fundit kam filluar të flas shqip, që kam filluar të vij dhe në Shqipëri, kam dhe disa shokë shqiptarë. Mundohem sepse është gjuha ime, është mirë të mos harrosh nga fillove. Nuk mund të kuptosh sa larg ke shkuar, nëse mohon vendin nga je”.
Top Channel