E ardhmja e Armando Brojës mbetet ende në “ajër” teksa te Chelsea janë në dyshim nëse duhet ta mbajnë në ekip sulmesin shqiptar dhe t’i besojnë statusin e zëvendësuesit të Romelu Lukaku, apo të shpenzojnë sërish në merkato.
Në ndihmë, “Bluve të Londrës” vjen Glen Johnson, ish-futbollisti i Liverpool që thekson se londinezët duhet të besojnë tek një lojtar që tashmë është në organikën e tyre, ndërsa shton se Broja i ka mundësitë që me Chelsean të shënojë më shumë gola se në sezonin e kaluar.
“Mendoj se te Chelsea do të hezitojnë të shpenzojnë shuma marramendëse për një sulmues duke parë atë që ndodhi me Lukakun. Nëse do të varej nga unë, më mirë do ishte t’i jepej një shans Armando Brojës se sa të shpenzoja 80 milionë paund për një tjetër sulmues. Do të ishte më mirë që të gaboja me një lojtar që është në skuadër, se sa të “hidhja në kosh” të tjera para.
Broja në zonë është shumë i mirë dhe ai ende mund të përmirësohet. Ka shënuar disa gola fantastik me Southampton, edhe pse është e vërtetë që Southampton nuk është Chelsea. Por, tek Chelsea ai do të kishte më shumë mundësi për të shënuar dhe është teknikisht i mirë për të realizuar më shumë gola nga sezoni i ardhshëm”, u shpreh Johnson./ Super Sport
Top Channel