“Do të ndikojë në shëndetin psikosocial”/ Elona Gjebrea: Vendimi për abortin në SHBA, një hap pas!

30/06/2022 21:18

Vendimi i Gjykatës Supreme që shfuqizon të drejtën e abortit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shihet si një hap pas në respektimin e të drejtave të vajzave dhe grave.

Në një diskutim në emisionin “Top Story” për këtë temë, biologia Elona Gjebrea thotë se ky vendim do të ndikojë dhe drejtpërdrejt në shëndetin fizik, mendor, psikosocial të grave dhe vajzave dhe grave që vijnë nga shtresa të varfra, vulnerable, gra emigrante, të papuna, gra të dhunuara.

“Të gjitha këto grupe të margjinalizuara janë të prekura. Por nga ana tjetër, kjo mund të sjellë një efekt në shumë vende të tjera, të cilët e shikojnë SHBA-në si vendin ku të drejtat themelore janë shumë të respektuara dhe që mund të ndikojnë dhe nga lëvizjet që po shohim, duket se do të ketë ndikime. Padyshim që në këtë drejtim është një hap mbrapa, për disa liri që kanë luftuar për shumë vite me radhë për t’i arritur dhe papritur kthehen pas dhe hapet sërish ky debat, që mund të ketë një efekt të përshkallëzuar në disa vende që mund të jenë dhe më të prekshme dhe që kanë arsye e kushte specifike që mund të jenë dhe më të ndjeshëm ndaj këtij vendimi”.

Me vendimin e Gjykatës Supreme, aborti nuk është bërë me automatizëm ilegal në SHBA, mirëpo shtetet mund të vendosin nëse do të lejojnë diçka të tillë.

Rreth 26 shtete pritet të vendosin ndalesë apo të kufizojnë abortin në javët në vijim.

Aktivistët në protestë jashtë Gjykatës së SHBA-së për të mbrojtur të drejtat e abortit. Të paktën shtatë shtete brenda SHBA, të banuara nga 16 milionë gra në moshë riprodhimi, tashmë kanë vënë ndalesa, prej kur Gjykata Supreme ka shfuqizuar ligjin Roe v Wade, siç njihet ndryshe vendimi që ka garantuar abortin për gati 50 vjet në territorin amerikan.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se do të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur të drejtat e abortit, mirëpo veçse është duke u përballur me kritika brenda partisë së tij se nuk është duke bërë mjaftueshëm.

Vendimi i vitit 1973 Roe v Wade ishte miratuar nga Gjykata Supreme me shtatë vota për dhe dy kundër. Përmes këtij vendimi grave u është mbrojtur e drejta për t’u dhënë fund shtatzënive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA