Anglia “hyn ushtarakisht” në Ballkan, Johnson: S`do lejojmë ta “marrë” Putini

30/06/2022 14:52

Pas daljes nga BE-ja, Britania e Madhe po kërkon gjithmonë e më shumë të shfaqet si aktor i fuqishëm në skenën ndërkombëtare.

E në radarin e Londrës nuk është vetëm Ukraina që prej nisjes së pushtimit rus, por edhe Ballkani.

Qeveria britanike njoftoi se do të nisë ekspertë ushtarakë në Bosnje-Hercegovinë për të kundërshtuar ndikimin rus si dhe “për të forcuar misionin e NATO-s, dhe për të promovuar stabilitetin dhe sigurinë”.

“Ne nuk mund të lejojmë që Ballkani Perëndimor të bëhet një tjetër shesh lojërash për synimet shkatërruese të presidentit rus, Vladimir Putin. Duke ndezur flakët e secesionizmit dhe sektarizmit, Rusia po përpiqet t’i kthejë mbrapsht sukseset e tri dekadave të fundit në Bosnje-Hercegovinë. Kjo është arsyeja pse po forcojmë mbështetjen për këtë vend. Ne po i përgjigjemi thirrjes së miqve tanë për të ndihmuar në mbrojtjen e paqes”, tha Boris Johnson.

Njoftimi i qeverisë britanike sqaron se dy ekspertë për luftën kundër dezinformimit dhe reformën e mbrojtjes, do të punojnë me Forcat e Armatosura të Bosnje-Hercegovinës dhe NATO-n, për të ruajtur paqen dhe sigurinë në këtë vend.

Britania do të sigurojë, po ashtu, fonde për rritjen e sigurisë kibernetike atje. Gjatë kohës që ndaloi në Sarajevë në fund të majit, sekretarja e jashtme britanike Liz Truss bëri të ditur se vendi i saj do të ndihmojë gjithashtu edhe në trajnimin e ushtrisë së Bosnjës.

Lideri i serbëve të Bosnjes, Milorad Dodid, që është edhe anëtar i presidencës trepalëshe të Bosnjës, prej disa muajsh i ka intensifikuar  përpjekjet për të ndarë Republikën Sërpska nga pjesa tjetër e territorit.

Top Channel