Akuzohen për falsifikimin e zgjedhjeve të 25 prillit/ Elbasan, cilët janë personat që ranë në pranga

30/06/2022 09:05

Gjashtë persona janë arrestuar nga policia e Elbasanit me akuzën e falsifikimit të zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021.

Bëhet fjalë për grupet e numërimit të KZAZ 53, e cila përkon me Bashkinë e Prrenjasit ku personat e arrestuar dyshohet se kanë favorizuar kandidatë të caktuar.

Konkretisht kandidati i asaj kohe, sot deputet i PD-së, Lefter Gështenja figuron me 116 vota më shumë nga sa kishte kutia, ndërsa Ardian Zeneli, sërish kandidat i PD-së me 100 vota më pak.

Shkelja u vu re nga KQZ e cili në nëntor të vitit 2021 bëri rivlerësimin e 10 përqind të kutive të votimit, në shkallë kombëtare, nga ku rezultoi se për sa i përket votave preferenciale Lefter Gështenja mbante rekordin për parregullsi.

Pas kësaj KQZ bëri kallëzim penal për grupet e numërimit ku ishin regjistruar parregullsitë më të mëdha.

Mësohet se numëruesi kanë deklaruar se parregullsitë janë pasojë e gabimeve njerëzore për shkak të lodhjes, por do të jetë gjykata e cila do të thotë fjalën e fundit pas hetimeve të bëra nga prokuroria e Elbasanit.

Në pranga kanë rënë:

Erald Karriqi, 35 vjeç, banues në Prrenjas;

Ylli Kuko, 35 vjeç, banues në fshatin Karkavec, Prrenjas;

Durim Alla, 49 vjeç, banues në Prrenjas;

Erjon Dashi, 31 vjeç, banues në fshatin Berzeshtë, Prrenjas;

Mili Vasku, 33 vjeç, banues në fshatin Rrajcë Fushë, Prrenjas;

Olgert Aalla 40 vjeç, banues në Prrenjas.

“Falsifikuan materialet zgjedhore të procesit zgjedhor të datës 25.04.2021, vihen në pranga 6 shtetas (numërues votash), të shpallur në kërkim.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan bënë ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi  i materialeve zgjedhore dhe i rezultatit të zgjedhjeve”, për shtetasit:

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, të cilët kanë patur si detyrë numërimin e  votave, gjatë procesit zgjedhor të datës 25.04.2021, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shënuar në tabelat e rezultatit, të dhëna të ndryshme nga ato të fletëve të votimit, me qëllim  favorizimin e kandidatëve të subjekteve zgjedhore.  Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Elbasan, për veprimet e mëtejshme”, sipas policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA