Një nënkomisar në policinë e Pogradecit është shpallur në kërkim nga kolegët e tij, pasi kamerat e sigurisë nxorën se ka qenë shoferi që një ditë më parë, përplasi me makinë një 13-vjeçar dhe u largua nga vendngjarja.
Ndaj Altin Agollit rëndojnë akuzat “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Pasi është aksidentuar i mituri me iniciale O.S., para efektivëve është paraqitur si drejtues i mjetit shtetasi me iniciale M.A., vëllai i nënkomisarit. Ndaj këtij të fundit ka nisur hetimi për veprat penale “Deklarata e rremë para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Njoftimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore:
Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka referuar materialet e para hetimore në Prokurorinë Pogradec, si edhe ka bërë shpalljen në kërkim për punonjësin e policisë N/komisar A. A., i dyshuar për “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, parashikuar nga neni 290 dhe 273 i Kodit Penal.
Nga veprimet e para rezulton se punonjësi i policisë, më datë 28.06.2022, duke drejtuar automjetin e tij, ka aksidentuar shtetasin e mitur O.S., 13 vjeç, i cili pasi ka marrë mjekim në spitalin Korçë është larguar për në banesë.
Gjithashtu, pas mbërritjes së shërbimeve të policisë në momentet e para të aksidentit, si drejtues i mjetit është paraqitur shtetasi M. A. (vëllai), por nga këqyrja e pamjeve filmike është provuar si drejtues i mjetit, punonjësi i policisë, A.A.
Sa më sipër, pas veprimeve hetimore në konsultim edhe me prokurorin e gatshëm, u referuan materialet në gjendje të lirë për shtetasin M. A., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Deklarata e rremë para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 dhe 305/b të Kodit Penal.
Top Channel