Një ndër ngjarjet më të veçanta të ndodhura këto ditë është ajo e maturës së Viktorit nga Lezha.

Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij i riu vendosi të shkojë në maturë me zetor dhe jo me makinë luksoze.

I ftuar në “Shqipëria Live” maturanti tregoi ndjesitë e veçanta që ka përjetuar gjatë atij momenti.

Në videon që ka qarkulluar në rrjete sociale shihet se si të gjithë bashkëmoshatarët kanë vendosur të shkojnë me makina luksoze, ndërsa djali  me një zetor.

Maturanti tregoi se arsyeja që kishte zgjedhur këtë mjet ishte veçantia dhe se do të mbahej mend për diçka që nuk është bërë më përpara.

“Edhe gjërat e thjeshta kanë vlerë. Është mjet bujqësor, kam punuar me të kur kam gjetur kohën e lirë. Të gjithë kanë dëshirën për të marrë makina të shtrenjta me qera, të familjarëve ose të të afërmve. E duan për të treguar që është një ditë që mbahet mend”, tha Viktori.

Pavarësisht momenteve të bukura që ka kaluar, Viktori tregoi se nuk ka pasur asnjë qëllim  për t’i rënë në sy vajzave për gjestin që bëri.

“Ia kaluam shumë mirë dhe ishim super, u kënaqëm. Për të thënë të drejtën nuk ishte për t’i rënë në sy vajzave por thjesht për të bërë diçka të veçantë”, tha ai.

I riu ka mbaruar shkollën profesionale për kuzhinier, rrugëtim të cilin do ta vazhdojë edhe më tej.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel