Maxwell, ‘madama’ e vajzave të financierit pedofil dënohet me 20 vjet burg nga gjykata në SHBA (fotot)

28/06/2022 21:51

Ghislaine Maxwell, tutorja e femrave shpeshherë nën moshë që shfrytëzoheshin seksualisht nga financieri pedofil Jeffrey Epstein, ka marrë sonte dënimin me 20 burg për rolin e saj në trafikun e vajzave në rrethin e abuzuesve.

Gjykatësja Alison Nathan tha në komentin e saj të çuditshëm se dënimi me 240 muaj burg është “i mjaftueshëm dhe jo më i madh nga sa është e nevojshme,” për Maxwell, i cila më herët i kishte thënë viktimave të shfrytëzimit të saj në sallë, “më vjen keq për dhimbjen që keni provuar.”

“Shpresoj që dënimi im t’ju japë një sens mbylljeje,” tha gjithashtu Maxwell, në fund të procedimit që prej arrestimit të saj në korrik 2020.

Trashëgimtarja britaniko-hebreje e grupit mediatik të të atit, botuesit te korruptuar Robert Maxwell, joshte viktimat e prostitucionit e shfrytëzimit seksual, në rrethin e financierit amerikano-hebre Epstein.

Sot katër gra dëshmuan në gjyqin e Manhattan për abuzimin e manipulimin e saj duke bërë thirrje për të mbyllur Maxwell në qeli e për “të flakur tej çelësat”.

“Maxwell kishte shumë mundësi për të rekuperuar mizorinë e saj, por vazhdoi të shkaktonte më shumë dëm e dhimbje”, tha një prej akuzueseve Annie Farmer, në një deklaratë të shkruar për gjyqin.

Virginia Giuffre Roberts, një prej akuzueseve të para të Maxwell e Epstein për trafikimin e saj për seks me princin britanik Andrew, përshkruante Maxwell si “një ujk me veshje deleje” në letrën e saj për gjykatën.

“Ghislaine, ti meriton të kalosh jetën tënde në burg, meriton të mbyllesh në një kafaz për gjithë jetën, ashtu siç i mbyllje dhe shfrytëzoje viktimat e tua”.

Avokatët e Maxwell kishin kërkuar ‘mëshirë’ duke kërkuar vetëm pesë vjet burg, por aristokratja britanike është përshkruar shpesh si një “predatore e sofistikuar” e lidhur në mënyrë të pandashme nga abuzuesi famëkeq Epstein.

“Maxwell ishte krahu i djathtë i Jeffrey Epstein, ata ishin partnerë në krim që abuzonin së bashku vajzat që shtinin në dorë dhe më pas i detyronin ato të abuzoheshin nga miqtë e tyre me influencë në një rreth vicioz shantazhi i prostitucioni”, tha mes të tjerash prokurorja Alison Moe.

Maxwell tha se po bëhej njëfarë viktime prej paaftësisë për të ndjekur penalisht Epstein, i cili vdiq papritur në qeli në Manhattan në 2019 teksa priste gjyqin për të njëjtat akuza.

Vdekja e tij u përcaktua si “vetëvrasje” nga mjeku ligjor i New York megjithse supozohej të mbahej nën mbikqyrje 24 orë në ditë.

Një nga viktimat që dëshmoi në gjyq, e cila përdorte pseudonimin Carolyn, tha se ishte abuzuar seksualisht më shumë se 100 herë nga Epstein që kur ishte 14 vjeçe.

Në një prej rasteve Carolyn kujtonte herën e parë kur kishte vizituar vilën e maniakut kur Maxwell i kishte thënë vajzës tjetër Giuffre, “Sille lart dhe mësoji çfarë duhet të bëjë.”

Adoleshentet me pas i kishin bërë masazh Epstein dhe më pas ai kishte bërë seks me Giuffre në sytë e Carolyn, dëshmoi kjo e fundit.

Një tjetër viktimë me pseudonimin Kate tha në gjyq se Maxwell e dërgonte për të nisur marrëdhënie me burra të pasur e të fuqishëm, të cilët i prezantoheshin nga Epstein dhe babai i tutores së tij, botuesi i korruptuar britanik Robert Maxwell.

Këto marrëdhënie me njerëz të fuqishëm ishin dhe arsyeja ose shantazhi se përse Maxwell e Epstein nuk ishin prekur kaq kohë për krimet dhe abuzimet e tyre.

“E akuzuara nuk besonte kurrë se vajzat dikur adoleshente do të kishin fuqinë të denonconin atë që u ndodhte, siç po dalin tani para gjyqit për të thënë të vërtetën”, tha ndihmës-prokurorja Maurene Comey.

FOTO GALERI
1/3
Madama e vajzave të financierit pedofil dënohet me 20 vjet burg nga gjykata në SHBA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA