Rritje e madhe e rasteve me koronavirus është regjistruar pasditen e së martës në Greqi, pasi Organizmi Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi 20,084 infeksione të reja , mes tyre 3664 ri-infeksione, 16 vdekje dhe 95 të intubuar.
Që nga fillimi i pandemisë Greqia ka regjistruar gjithsej 30.206 vdekje, prej të cilave 95.7% tek pacientë me historik sëmundjesh dhe moshë 70 vjeç e lart.
Ekspertët vlerësojnë se vala e re e pandemisë do të kulmojë në mes të korrikut, kur vendi do të jetë i mbushur plot me turistë.
Prej ditës së djeshme kur u hap platforma elektronike, 10000 vetë kanë mbyllur vaksinimin me dozën e katërt, për të cilën mjekët rekomandojnë sidomos moshat mbi 60 vjeç. Ndërkohë kësaj here qytetarët e moshave nga 29 deri në 59 vjeç nuk duken shumë të entuziazmuar ,pasi ka shumë raste që edhe të vaksinuarit më së fundmi, janë infektuar.
Duke parë me shqetësim rrjedhën e pandemisë dhe numrin në rritje rreth katër herë të shtrimeve në spitale me pacientë të rinj, Ministria e Shëndetësisë, po përgatit një plan urgjent.
Specialistët nuk rreshtin së këshilluari për mbajtjen e maskave në ambientet e mbyllura, apo në vendet ku janë të grumbulluar shumë njerëz, duke theksuar se në se infeksionet vazhdojnë të rriten ,nuk përjashtohet që maskat të bëhen përsëri të detyrueshme në këto vende ,edhe në mes të verës.
Top Channel