Për kroatët, këto do të jenë muajt e fundit duke përdorur kunën si monedhën zyrtare teksa vendi përgatitet të kalojë tek euro në 1 janar të 2023-shit.
Ende pritet vendimi përfundimtar për bashkimin e Kroacisë me Eurozonën nga ministrat e ekonomisë dhe financave të BE-së, megjithatë mes kroatëve të thjeshtë kanë nisur që tani, për një pjesë shqetësimet, për të tjerët shpresa se një hap i tillë do të jetë pozitiv për ta.
“Kjo s’është gjë e mirë. Shpenzimet do të rriten shumë ndërsa rrogat do të mbeten të pandryshuara. Mua nuk më pëlqen ideja, them se jemi më mirë me kunat”, thotë Dario Varga, kamarier.
“Përdorimi i euros është pjesë e aspiratave europiane, të mos e harrojmë këtë, sepse kështu mund të afrohemi edhe më shumë me pjesën tjetër të Europës”, thotë historiani Zvonimir Mamic.
“Kthimi tek euro në 2023-shin do të ketë anët e veta të mira e të këqija. Por ashtu si dhe mjaft të tjerë, unë pres një rritje të çmimit të të gjithë produkteve dhe shërbimeve, siç ka ndodhur edhe me vende të tjera që vendosën të përdornin euron”, shprehet biznesmeni Ivica Piskor.
Komisioni Europian njoftoi disa ditë më parë se Kroacia i ka përmbushur të gjitha kriteret për t’u bashkuar me eurozonën, duke i hapur kështu vendit rrugën që të kthehet në anëtarin e 20-të të zonës së monedhës së përbashkët. Kalimi i Kroacisë nga kuna në euro do të vijë më pak se një dekadë pasi ish-republika jugosllave u bashkua me bllokun Europian, duke shënuar një moment të ri historik në zgjerimin e tij.
Ekzekutivi i BE-së u shpreh i kënaqur me Zagrebin, ndërsa presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, konsideron se bashkimi me eurozonën do ta forcojë akoma edhe më shumë ekonominë kroate, e do të sjellë përfitime për qytetarët, bizneset dhe shoqërinë në përgjithësi, ndërsa do ta bëjë më të fortë edhe euron vetë.
Top Channel