Trupi i njeriut ka 206 kocka, që zënë 14% të masës sonë trupore. Pandemia e Covid-19 na tregoi që virusi nuk prek vetëm, sistemin e frymëmarrjes apo enët e gjakut, por ndër të tjera edhe sistemin kockor.
Iris Koshovari, mjeke infeksioniste: Pacientët që kalojnë Covidin në përgjithësi që në fazat e para ankohen për dhimbje të kockave dhe kyçeve që janë ndër shfaqet e para të sëmundjes, por edhe gjatë ecurisë së sëmundjes apo më afatgjatë, mund të paraqesin simptoma të lidhura me dhimbjen, skuqjen e kyçeve. Shpeshherë manifestohet edhe vështirësi graduale në të ecur, dhe më pas nisur nga këto simptoma drejtohen tek mjeku. Në pacientët që kanë simptoma të sistemit kockor rekomandohet vizita tek mjeku specialist në mënyrë që të diagnostikohet në kohë Osteopenia apo Osteoporoza, pra zbutja e kockave dhe të shmangen komplikacionet si p.sh. frakturat spontane.
Një nga problemet më invalidizuese që është parë në pacientët që vuajnë simptomat e zgjatura të Covidit është Nekroza Vaskulare, që do të thotë “vdekja e indit kockor”. Nekroza Vaskulare prek kryesisht kockat e legenit, grupmoshat që preken nga kjo sëmundje janë kategoria që shtrohen për një kohë të gjatë nga Covid-19 dhe vuajnë sëmundje të formës së rëndë, ose marrin terapi të zgjatur më Kortizon.
Në vizitat ambulatore paraqiten në përgjithësi pacientë të moshave mbi 50-60 vjeç. Megjithatë dhimbje, skuqje, enjtje, vështirësi në të ecur, kanë paraqitur grupmosha edhe më të reja, duke nisur nga 3-35 vjeç e sipër.
Tek këta pacientë veçanërisht nëse kalojnë Covid, gjatë sëmundjes iu rekomandohet fuqishëm marrja e Vitaminës D dhe Kalciumit. Sipas nevojave iu rekomandohen ushtime fizike, rehabilitim nëpërmjet fizioterapisë, si dhe të ndiqen në mënyrë sistematike tek mjeku specialist dhe t’I nënshtrohen ekzaminimeve të rekomanduara nga specialisti.
Top Channel