“Viva la vita”, ekspozita e artistes që vuan nga parkinsoni

25/06/2022 12:25

“Viva la Vita”, ekspozita e artistes Amantia Rrokaj ka qenë një prej prurjeve artistike më interesante të këtij sezoni në Gjirokastër. Artistja jeton në Greqi prej 22 vitesh dhe është në një betejë të përditshme me sëmundjen e Parkinsonit.

Ajo e përcakton artin e saj si të krijuar nga dhimbja pasi ka përjetuar efektet e para të sëmundjes në moshë shumë të re dhe po përballet me përkeqësimin e gjendjes së saj çdo ditë ndërsa bën art.

Amantia ka krijuar rreth 400 vepra me materiale të riciklueshme dhe çdo punim e ka një histori. Janë objekte që po jetojnë përmes artit një jetë të dytë. Brenda veprave dominon portreti i Frida Kahlo, dhe dekorimi i imazhit të saj me copëza nga jetët e të tjerëve, bizhu, veshje, temina, copa perdesh apo dantellash.

Shpesh pjesë e artit të saj bëhen edhe materiale jo jetëgjata siç janë ushqimet e thara për shkak se Amantia krijon për momentin dhe vepra e saj fton për të jetuar momentin. Asgjë sipas saj nuk është e përjetshme e megjithatë punët nuk reflektojnë trishtim. Ato janë ëndërrimtare dhe plot ngjyra. Kanë shkëlqim real dhe dinamizëm. Është një botë gjithë luhatje me emocione të fuqishme, mes dhimbjes së personazheve që transformohen. E përbashkëta e veprave është se ato komunikojnë, duke zbehur kufirin mes reales dhe surreales si një gjetje e Amantias për t’ju rrëfyer botës përmes artit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA