Shpërthejnë zjarret në Turqi, Erdogan: Dënim me vdekje kush i vë qëllimisht!

25/06/2022 12:21

Për tre ditë rresht, një zjarr masiv pyjor u përhap rrezikshëm në afërsi të resortes bregdetare të Marmaris në Turqi; flakët u shtrinë në një njëjtën zonë që vitin e kaluar u godit nga zjarret më të këqija në historinë e vendit.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan megjithatë njoftoi se flakët e ndihmuara dhe nga era në rajonin Bördübet, pranë Marmaris në bregun e Detit Egje, duke shkrumbuar disa pjese pyjesh me pisha e duke detyruar evakuimin e qindra banorëve, janë vënë nën fre. Erdogan foli pas një inspektimi të zonës, ku nga zjarret u prek një sipërfaqe pyjore prej gati 4000 hektarësh.

“Fatmirësisht, në masë të madhe këto zjarre janë vënë nën kontroll.  Përpjekjet për ripyllëzim do të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Jemi të lumtur mbi të gjitha që nuk pati humbje jete e nuk ka raporte për të zhdukur.”- tha Erdogan

Për shkak të zjarreve megjithatë, gati 20 persona përfunduan në spital me dëmtime të ndryshme. Autoritetet arrestuan një 34-vjeçar, i cili duket ka rrëfyer se ndezi një vatër zjarri pas disa mosmarrëveshjeve me pjesëtarë të familjes. Erdogan u shpreh se favorizon dënimet e rënda për personat e ndaluar për zjarrvënie të qëllimshme, dhe i mëshoi idesë se Turqia duhet të hapë debatin për rivendosjen e dënimit me vdekje, i cili është hequr në vitin 2002.

Top Channel