Me një situatë të paqartë juridike për shkak të një vendimi të mundshëm që mund të përmbyste realitetin në Partinë Demokratike, Sali Berisha po bëhet gati për protesta.
“Suksesi arrihet kur pranon të të udhëheqin. Jam gati të udhëheq dhe të më udhëheqin”, tha ai.
Por, 8 janari tregoi se udhëheqësit e përplasjes se paprecedente mes demokratëve ishin dy liderët e saj. Beteja këtë herë është me qeverinë, por a do të shohim skenar dhune edhe më 7 korrik?
“Kemi të bëjmë me një front, nuk jam unë. Unë jam njëri prej aktorëve në këtë front dhe vendimet merren nga koalicioni, nga fronti. 8 Janari është skenar që nuk është përsëritur ndonjëherë në historinë e botës. Nuk e ka bërë njeri atë që bëri Lulzim Basha”, u shpreh ish-kryeministri.
Korriku pritet të jetë përcaktues edhe për kokën e opozitës. Ilir Meta, pasi të zhveshë kostumin presidencial do veshë atë të opozitarit. Në Baku të Azerbajxhanit ish-aleatët e vjetër u bashkuan sërish.
“Do kemi front opozitar me udhëheqje kolektive, rol kryesor padyshim PD”, thotë Berisha.
Por, a do e pranojë Ilir Meta rol dytësor në opozitë mbetet për tu zbuluar me 25 Korrik kur në terren zbret edhe ish-Presidenti, i cili po jep sinjale se kërkon diçka më shumë se krijesa e tij, LSI.
Top Channel