Armët në SHBA/ Miratohet projektligji për kontrollin e tyre

24/06/2022 12:21

Senati amerikan miratoi një projekt-ligj për kontrollin e armëve, që përfshin më shumë kontrolle për blerësit nën moshën 21 vjeç, 11 miliardë dollarë financime për shëndetin mendor dhe 2 miliardë dollarë për programet e sigurisë në shkolla.

Pesëmbëdhjetë republikanë iu bashkuan demokratëve për të miratuar masën me 65 vota pro dhe 33 kundër, një ndër legjislacionet më të rëndësishme mbi armët e zjarrit në gati tre dekada.

Vendimi u mor një ditë pasi Gjykata e Lartë në Amerikë shfuqizoi  ligjin e Nju Jorkut që kërkonte që banorët e shtetit të kenë një arsye të forte për të marrë licensën e mbajtjes së një arme dhe pason ngjarjet tragjike të muajit të kaluar ku u regjistruan të shtëna masive në një supermarket në Nju Jork dhe një shkollë fillore në Teksas, që la 31 persona të vdekur.

Projektligji do të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve përpara se Presidenti Joe Biden ta nënshkruajë. “Ky ligj do të ndihmojë në mbrojtjen e amerikanëve,” tha Biden.

Megjithatë, propozimet janë larg kërkesave të shumë demokratëve dhe aktivistëve që kundërshtojnë shitjen e armëve në SHBA.

Dhe vetë amerikanët e shohin me skepticizëm dhe shprehen se ndihen të pasigurt.

“Është e pakuptimtë. Nuk mendoj se njerëzit që ndërmarrin akte të tillë mendojnë se çfarë do të ndodhë më pas apo arsyetojnë për pasojat. Sot, nuk mund t’i besosh askujt”, shprehet Sushmita Peters.

“Nuk ka asgjë të re, këtu politikanët janë më shumë të interesuar për rizgjedhjen e tyre se sa për nevojat reale të njerëzve”, thotë Keith Evans.

Shoqata Kombëtare e Armëve të Zjarrit dhe shumë republikanë kundërshtuan projektligjin, por ai mbështetet fuqishëm nga grupet e interesit që punojnë në polici, nga shoqatat që trajtojnë dhunën në familje dhe sëmundjet e shëndetit mendor.

SHBA-ja ka shkallën më të lartë të vdekjeve nga armët e zjarrit. Mbi 900 njerëz janë vrarë me armë në SHBA këtë vit, duke përfshirë vrasjen dhe vetëvrasjen.

Top Channel