I vetmi rezultat pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në samtimit evropian ishte pranimi në tryezën e këshillit me statusin e vëzhguesit.
Asgjë më shumë e kështu, duke i mbajtur këto dy vende përsëri larg çeljes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE.
Nëse në të shkuarën, vende si Franca apo Holanda me skepticizmin e tyre bllokuan hedhjen e hapave të tjerë integruese, prej 2020 protagonizmin e bllokimit e udhëheq Bullgaria.
Kryeministrat Rama e Kovaçevski dhe presidenti Serbisë Vuçiç në konferencën e përbashkët për shtyp e ri-përsëritën në forma të ndryshme fjalën zhgënjim. Zhgënjim që askush prej tyre apo udhëheqësit e BE e dinë se kur do ti vijë fundi.
“Keqardhje e thellë për BE. U thash ndjehesha mirë dhe keq me ata. Ndjehesh keq pasi ne nuk jemi atje si Europianë por si miq në një shtëpi të ndarë. Arsyeja nuk është vetëm Bullgaria. Bullgaria është njëri aspekt ndërsa tjetri fryma e deformuar e BE-S. Fryma zgjerimit ka kaluar në pengmarrje. Çështja Bullgarisë është një turp. Putin mund të jetë sëmurë, mund edhe të mos jetë sëmurë, por kjo gjëja këtu nuk është fort e shëndetshme. Sa herë që ndodh diçka në një vend, aktivizohet kjo lëvizje në Bullgari. Putin dhe agresioni rus po merr fuqi nga Bullgaria. Dhe po bllokon vendet. Ka edhe një tjetër pengmarrje ajo e qytetarëve të Kosovës të vetmit që nuk mund të lëvizin të lirë.Pas çlirimit, çlirimtarët e tyre po i mbajnë peng. Kjo është çmenduri. E turpshme. Duhet të marrë fund”, tha Edi Rama.
Përballë presionit të brendshëm politik në rritje me kundërshti ndaj propozimit francez, kryeministri Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski kërkoi garanci, madje vendosi disa vija të kuqe për propozimin e Macron.
“Propozimi francez vlen për tu falënderuar. Bullgaria ka vendosur të kthehet në të shkuarën dhe të rivendosë një bllokadë. Ne kemi shpallur qëndrimin tonë, se propozimi i Macron duhet të pranojë këto elemente kyçe. Kushtet historike nuk mund të jenë pjesë në kuadrin negociues. Duhet garantohet nga BE që Bullgaria nuk do të bëjë kërkesa të reja. Asgjë më shumë asgjë më pak, duam vetëm respekt për identitetin kulturor historik të qytetarëve të mi dhe ata anëtarësohen në BE”, Dimitar Kovaçevski.
Më komodi në këtë konferencë ishte presidenti Alexandër Vucic, komoditet që i vjen nga të qënurit e Serbisë disa hapa përpara me integrimit.
“Dëgjuam edhe propozimin e Macron për të krijuar një komunitet tjetër në BE. Është një mënyrë e mirë. Për mua ishte e dobishme si përfaqësues i Serbisë. Nuk ishte ide e ndonjë tjetri, ishte ide e jona krijimi i Open Balkan. Dëgjuam dikë që thoshte se ishte ide e Orban. Një tjetër thotë ishte ide e Putin? Unë s’kam folur kurrë me Putin për këtë gjë”, tha Aleksandër Vuçiç.
Top Channel