Ashensorët e pallateve çdo ditë e më tepër po kthehen  në një problematikë shqetësuese për banorët si pasojnë e defekteve të njëpasnjëshme dhe nga më të ndryshmet.

Thuajse çdo ditë të frikësuar qytetarët përdorin ashensorë pa e  ditur nëse janë të certifikuar apo të kolauduar brenda të gjitha kushteve teknike. Gjatë muajit Maj, 3 raste të ndryshme defektesh në ashensor kanë ndodhur vetëm brenda pak orësh!

Më 15 maj 2022 një ashensor në Qendrën Spitalore Nënë Tereza u shkëput dhe për pasojë mbetën të lënduar një paciente dhe infermierja që e shoqëronte.

E ndërsa një ditë më vonë me 16 maj në një kompleks pallatesh pranë rrugës së Kavajës,  një ashensor u përfshi nga flakët me pasojë vetëm në dëme materiale.  Dhe vetëm brenda pak orësh në të njëjtën ditë një tjetër ashensor u përfshi nga flakët në lagjen 1 Maji të qytetit  të Vlorës.

Kamera e Fiks Fare, në një vëzhgim disa ditor ka vënë re se shumë komplekse banimi nuk kanë një ashensor që mund të ketë të gjitha elementët e sigurisë. Dhe për më tepër banorë të këtyre komplekseve tregojnë eksperiencat e tyre të incidenteve që u kanë ndodhur në ashensor.

Një e moshuar tregon se kur ndodhet në situatat e ngecjes në ashensor kërcen disa herë në të dhe më pas duhet ta hapë me forcë nga brenda, pasi administratorët jo gjithmonë janë në ato momente.

Për të kuptuar më mirë se si duhet të jetë një ashensor i mirëfilltë dhe për t’u njohur më nga afër me situatën,  gazetarët e Fiks Fare në bashkëpunim  me një teknik të licencuar për ashensorët, Renaldo Staka kanë kryer një vëzhgim në një zonë të kryeqytetit.

Ku nga ky vëzhgim rezultoi se ky ashensor duhej të bllokohej nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, sepse ishte jashtë çdo standardi  teknik. Me litarë të pasigurt, gropa të mbushura me letra dhe bishta cigaresh.

Arben Dervishaj, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve në Shqipëri thotë se në lidhje me problemet e ashensorëve ndahen 2 gjëra. Pjesa që duhet të plotësojë kompania e ndërtimit dhe pjesa tjetër që i takon banorëve ose atyre që do ta shfrytëzojnë.

“Kur flasim për kompanitë e ndërtimit ata e bëjnë të gjithë procedurën sepse nuk mund të kolaudohet. Ka disa protokolle te sakta për përcaktimin e tyre. Duhet bërë kontroll teknik, të gjitha provat teknike, për të parë si funksionojnë sistemet dhe përshkruhen në librin e ashensorëve. Ashensorët kanë nevojë për një mirëmbajtje rutine të cilat duhet t’i bëjnë kompanitë e specializuara”, thotë ai .

Më pas ai shpjegon se një herë në 20-25 vite motori duhet të ndërrohet ka kohën e vjetërsisë. Nëse ashensorët do te mirëmbaheshin sipas protokollit dhe siç i kërkon inspektorati teknik nuk kishim për t’i pasur këto probleme. Ashensori duhet patjetër të kontrollohet 1 herë në  vit. Këta ashensorë i merr në dorëzim inspektorati ai ka për detyrë t’i marrë.

“Duhet rritur roli i inspektoratit ndoshta burimet njerëzore të inspektoratit janë të vogla për të gjithë këtë sasi ashensorësh. Të drejtat e plota i ka në letër por ne nuk po shohim asgjë”, përfundon z. Dervishaj.

Përsa i përket një përgjigje  që vetë Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dërgoi për redaksinë e Fiks Fare në lidhje me numrin e ashensorëve të regjistruar  pranë këtij institucioni, numrit të inspektorëve, strukturave të liçensimit për këto pajisje, si dhe kontrollet që janë bërë përgjatë një viti.

Ky institucion na tha se gjithsej janë të regjistruar  1429  ashensorë ndërkohë që për periudhën Prill 2021-2022 janë kryer vetëm 336 inspektime. Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka gjithsej 4 Drejtori me 80 punonjës në total.

Për sa i përket strukturës së liçensimit të ashensorëve në vendin tonë, këto kompani janë private, ISHMT nuk ka një strukturë të tillë.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA