Një nga komeditë më të bukura të Shekspirit, “Ëndrra e një nate vere” mbërrin në Amfiteatrin Antik të Durrësit.
Nën regjinë e Driada Dervishit dhe interpretimin e një trupe të mirënjohur aktorësh të teatrit “Aleksandër Moisiu”, shfaqja ofron teatër brenda teatrit, një botë ku ëndrra bëhet zhgjëndërr teksa zhvillohet në kufijtë mes reales dhe fantazisë.
Trillimi fantastik shekspirian i ndërthurur me elementet e jetës së përditshme dhe një kostumografi e skenografi që të përfshin në botën magjike të zanave dhe situatave plot humor, e fton publikun të reflektojë dhe të shijojë jetën për t’u larguar qoftë dhe për pak nga përditshmëria.
E vënë në skenën e hapur të Amfiteatrit Antik, komedia përmbushi ëndrrën e artistëve për të interpretuar nën yje jashtë skenës statike të teatrit, por dhe të artdashësve për të shijuar magjinë e një nate vere nën pushtetin e artit, hënës dhe atikitetit. Komedia do të shfaqet edhe në dy netët në vazhdim.
Top Channel