Fshati piktoresk i Vunoit mbi malin e Mjegulloshit  me ndërtesat e gurta me sytë nga bregdeti jon është thuajse i vdekur. Dyert e shtëpizave i gjen ose të kyçura, ose në to jetojnë të vetmuar të moshuarit. 

Por prej një viti, heshtjen e fshatit e kanë thyer dy të rinj të huaj. Adriano me Sarën janë njohur e dashuruar me njëri tjetrin si turistë në jug të Shqipërisë, e kanë përftuar shpejt tiparet shqiptare.

Veç dashurisë për njëri tjetrin, ata e duan po aq edhe vendin tonë, sa që një banesë të rrënuar në Vuno e kanë shndërruar në shtëpinë e mikpritjes për të huajt, në një hostel me pamje mahnitëse.

“Unë jam amerikane,por jetoj në Vuno, në Shqipëri”- tha turistja amerikane Sarah Bree Cameron

Dëshira e amerikanes 27 vjecare dhe gjermanit 24 vjecarit për të lënë vendet e lindjes e për të ngritur një biznes në fshatin shqiptar është pëlqyer edhe nga vendasit, të cilët kujdesen për të rinjtë si të ishin fëmijët e tyre që ndryshe nga ta, janë larguar nga Shqipëria.

“Kam një gëzim të madh që janë këtu, se djemtë i kam që të dy në Greqi”- tha e moshuara

Megjithatë habia e pushuesve  është e madhe kur mësojnë se hosteli ku valëvitet flamuri shqiptar ju përket dy të huajve, e që sa lehtësisht e kanë marr ata vendimin për të qëndruar me qera në një shtëpi mbi det, në një fshat gati të braktisur.

E çuditshme ti vërtet je gjerman?!

-Po nga kelhn.. 

“Është vendimi më i mirë që kam marr në jetën time. Njerëzit në Vuno na kanë pritur shumë mirë e na kanë ndihmuar për të rregulluar shtëpinë. Shpesh na pyesin të cuditur: pse jeni zhvendosur në këtë fshat? Pastaj shikojnë se sa punojmë, se si kemi ftuar shumë turistë nga e gjithë bota që t’iu tregojmë Vunoin, Gjipenë, çdo cep të jugut. Nuk e kuptojnë çfarë mrekullie natyrore kanë? Ata mund të mendojnë se jemi paksa të cmendur, por ne kemi udhëtuar shumë dhe si udhëtarë e dimë çfarë ata si ne duan, ndaj vendosëm natyrshëm të jetojmë këtu. Cdo shqiptar më thotë që ka familjarë në New York apo New Yersey dhe që edhe vetë duan të shkojnë në Amerikë, por ju them shkoni vizitojeni për disa vite, por kthehuni në Shqipëri!”– tha Sarah Bree Cameron

Adriano me Sarën organizojnë edhe ture ditore në cdo qoshe të jugut, por e bukura është se nuk e zbulojnë shqipërinë vetëm për të huajt, por edhe për vetë shqiptarët.

Adriano ka kaluar 4 behare dhe 3 dimra në Shqipëri, por në qershor të vitit 2021 pas njohjes me Sarën u bind që vendi ynë është zemërgjerë për ti pranuar si banorë e jo vetëm si turistë.

“Shqipëria është shtëpia ime tani dhe e dua shumë.”– tha Adrian Michels

Me të mirat dhe të këqijat që ka shqipëria, të rinjtë duket se janë betuar për dashuri të përjetshme jo ndaj njeri tjetrit por ndaj Vunoit.

“Kur shkoj në Gjermani ju them të gjithëve të vizitojnë Shqipërinë e tashmë vijnë shumë, mesa duket ma kanë dëgjuar fjalën. Në gjermani ke para, por asgjë tjetër, ndërsa këtu ke gjithçka por jo shumë para. Njeriu zgjedh atë që nuk ka. Atje ku kam lindur unë, duhet të punosh gjithë ditën e nuk jeton, ndërsa në vendin tuaj unë kam gjetur lumturinë, diell, det, ushqim i mirë, klimë e mrekullueshme, njerëz miqësor. Edhe pse në Vuno ku po jetoj dy herë në muaj nuk ka drita e ndriçohemi me qirinj, ndonjëherë nuk ka ujë e duhet të mbushim në burim por në këtë mënyrë ja di vlerën jetës. Kupton si kanë jetuar të parët tanë. Më pëlqen jeta në fshat!”- tha Adrian Michels.

Top Channel