Manchester United vijon të mbetet një nga skuadrat më të zhurmshme në afatin kalimtar të transferimeve.
“Djajtë e Kuq” janë të lidhur me emra të ndryshëm lojtarësh, megjithatë ende nuk kanë ndërmarrë një veprim konkret për zyrtarizimin e futbollistit të parë.
Në këtë mënyrë, paniku ka filluar të ndihet te mbështetësit e 20- herë kampionëve të Anglisë, që duan sa më parë të jetë e mundur ‘zhbllokimin’ e skuadrës në merkato dhe afrimin e futbollistëve cilësor që do të ndihmojnë trajnerin Erik ten Hag në procesin e rindërtimit të Man.United.
Për të qetësuar tifozët ka menduar shefi ekzekutiv i Man.United, Richard Arnold. Anglezi zëvendësoi në Shkurtin e këtij vitit në hierarkinë e klubit, Ed Woodward, që ishte pjesë e klubit që prej dhjetë vitesh.
Arnold ishte i drejtpërdrejtë në takimin me tifozët dhe pranoi se skuadra ka bërë gabime të mëdha në merkato në të kaluarën. Takimi u zhvillua në një vend të fshehtë ndërkohë që një prej tifozëve filmoi edhe momentet kur Arnold zbuloi të rejat rreth klubit.
“Në të ardhmen, kemi planifikuar rinovimin e stadiumit dhe një ndryshim rrënjësor në qendrën stërvitore. Duhet të bëjmë gjërat e duhura. E respektoj pasionin tuaj, por nevojitet ndihmë dhe përkrahje nga tifozët. Është e rëndësishme të unifikojmë skuadrën, në mënyrë që të bëhemi të suksesshëm. Jam këtu për të lënë gjurmën time. Do i përgjigjëm kërkesave tuaja, çdo e-maili dhe sugjerimi. Nuk mund t’ju imponoj asgjë por duhet të evitojmë tensionin dhe protestat që të mos ketë asnjë të lënduar”, u shpreh Arnold.
Ndër të tjerash, Arnold u shpreh se 200 milionë paundë do të shpenzohen për afrimet këtë verë dhe se çdokush në ambientet e klubit po përpiqet maksimalisht që objektivat të finalizohen me sukses. Pas bisedës së gjatë të shefit ekzekutiv me tifozët, protesta anti-Glazer nuk u zhvillua./ Super Sport
Top Channel