Turqia dërgon në paraburgim 16 gazetarë nën akuzat për ‘terrorizëm’

16/06/2022 16:33

Gjashtëmbëdhjetë gazetarë turq të asociuar me mediat pro-Kurde u dërguan në paraburgim të enjten, në pritje të gjyqit pasi akuzohen se i përkasin një “organizate terroriste”.

Gazetarët kanë punuar për media të lidhura me Partinë Demokratike të Popullit (HDP), pro-kurde, e cila rrezikon të ndalohet në Turqi për lidhje të dyshuara me militantët e jashtëligjshëm që nxisin prej dekadash një kryengritje kundër shtetit turk.

Të 16-të u arrestuan, së bashku me katër gazetarë të tjerë, më 8 qershor në Dijarbakir në Turqinë juglindore, të akuzuar se i përkisnin shërbimeve të shtypit të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e klasifikuar si një grup “terrorist” nga Ankaraja, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. HDP-ja mohon lidhjet formale me PKK-në.

Të enjten, të 16-të gazetarët u akuzuan se i “përkasin një organizate terroriste”, sipas dokumentit të arrestimit. Një avokat mbrojtës konfirmoi se ata ishin burgosur në pritje të gjykimit. Ndër të arrestuarit është edhe Serdar Altan, bashkëkryetar i një shoqate gazetarësh. Katër të tjerët u lanë të lirë nën mbikëqyrje gjyqësore.

Një përfaqësues nga dega turke e “Reporterëve pa Kufij” (RSF), Erol Onderoglu, denoncoi arrestimet si një përpjekje për të dobësuar “klasën politike kurde… dhe për t’i privuar ata nga të drejtat për t’u dëgjuar” përpara zgjedhjeve presidenciale të Turqisë vitin e ardhshëm.

Turqia ka deklaruar se po planifikon të nisë një ofensivë në veri të Sirisë kundër militantëve kurdë.

Një numër i madh anëtarësh të HDP-së janë arrestuar pas një përpjekje të dështuar për grusht shteti kundër Presidentit Rexhep Tajip Erdogan në vitin 2016.

Aleatët perëndimorë të Turqisë janë alarmuar nga arrestimet, duke paralajmëruar se këto veprime kërcënojnë të minojnë më tej lidhjet diplomatike me qeverinë e Erdoganit.

Turqia renditet e 149-ta nga 180 vende në indeksin e lirisë së shtypit sipas Reporterëve pa Kufij për vitin 2022 dhe kritikohet rregullisht për përndjekjen ndaj mediave që janë kritike të qeverisë./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA