Papa Françesku thotë se konflikti në Ukrainë ishte ‘i provokuar, në njëfarë mënyre’ (fotot)

14/06/2022 17:31

Papa Françesku ka thënë së fund i se pushtimi i Ukrainës nga Moska “mund të jetë në njëfarë mënyre i provokuar”, teksa kujtonte një bisedë pak kohë para luftës ku ai ishte paralajmëruar se NATO “ishte duke lehur te dera e Rusisë”, shkruan britanikja The Guardian.

Në një intervistë me revistën jezuite të Romës ‘La Civiltà Cattolica’, të kryer muajin që shkoi por të publikuar sot, kryeprifti dënon atë që quante “mizorinë e trupave ruse” por paralajmëronte kundër vizionit “përrallor” të perceptimit të konfliktit si ‘e mira kundër të keqes’.

“Duhet të largohemi nga perceptimet e tipit të ‘Kësulëkuqes së mirë dhe Ujkut të ligë’. Është duke lindur diçka globale dhe elementët janë mjaft të ndërthurura me njëri-tjetrin”.

Françesku tha se dy muaj para luftës ishte takuar me një kryetar shteti, që ai nuk identifikonte por që përshkruante si “burrë i ditur që flet pak, por shumë i ditur në fakt … Ai më tha se ishte shumë i shqetësuar sesi NATO po levizste. Dhe unë e pyeta përse, teksa ai u përgjigj: ‘Ata po lehin në portat e Rusisë. Ata nuk e kuptojnë se rusët janë perandorakë dhe nuk mund të kenë fuqi të tjera që t’u afrohen aq shumë”.

Papa shtoi: “Ne nuk e njohim të gjithë dramën që shpaloset prapa kësaj lufte, e cila ndoshta ishte disi e provokuar, dhe ndoshta jo e parandaluar”.

The Guardian shkruan se në fakt, pak para pushtimit Vladimir Putin i kishte kërkuar NATOs të përjashtonte mundësinë e lejimit të Ukrainës në NATO, pasi vendi i gjerë kufizohet me Rusinë.

Papa shtoi se nuk është “pro-Putin” pasi do të ishte shumë e thjeshtuar apo e gabuar të thoje diçka të tillë.

Ai shtonte se Rusia ka bërë keqllogaritje për luftën, duke menduar se do të zgjaste vetëm një javë, teksa ukrainasit po rezistojnë siç kanë rezistuar edhe më parë gjatë historisë.

Papa tha se pushtimi i Ukrainës ishte një shkelje e të drejtës së vendit për vetëvendosje.

Ai tha më tej për La Civiltà Cattolica se shpresonte të takohej me patriarkun rus Kirill, aleat i afërt i Putin për luftën në Ukrainë, në një event ndër-fetar në shtator në Kazakistan.

Dyshja kishin pasur në plan të takoheshin në qershor në Jeruzalem por udhëtimi u anulua prej luftës. /The Guardian/

FOTO GALERI
1/3
“Ne nuk e njohim të gjithë dramën që shpaloset prapa kësaj lufte, e cila ndoshta ishte disi e provokuar, dhe ndoshta jo e parandaluar”.

Top Channel