Jemi mësuar të shohim që përdorin bojëra uji ose bojëra vaji,ndërsa e kundërta ndodh me Mbongeni Buthelezi, i cili përdor mbetje plastike për të krijuar portrete në studion e tij në Booysens, Johannesburg.

Ai përdor mbeturinat plastike që mbledh në rrugët e qytetit duke përshkruar kështu realitetin në Afrikën e Jugut.

“Kafshët po vdesin, peshqit në oqean po vdesin, për shkak të këtij materiali dhe për shkak të neve si qenie njerëzore. Jemi ne që duhet të marrim përgjegjësi”, tha Buthelezi.

Një artist dhe aktivist, Buthelezi, 56-vjeçari , ka krijuar si fillim portretin e një djali nga Afrika e Jugut dhe të disa kafshëve.

“Unë jam rritur me kafshët e babait tim, bagëtia ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës sime”, tha Buthelezi.

Ai shpjegoi se si mbeturinat plastike ishin aq të zakonshme në zonat e kullotave saqë filluan të krijonin probleme në ambientin që ato qëndronin, pasi konsumonin mbetjet plastike.

Me mbetjet plastike në rritje në mbarë botën, Buthelezi po përdor punën e tij për të nxjerrë në pah dhe për ta luftuar këtë çështje.

Sipas CNN, gjithçka ka nisur kur ai ishte student dhe nuk kishte mundësi për të blerë materiale, për këtë arsye zhvilloi një teknikë të përdorimit të një pistolete elektrike që nxirrte ajër të nxehtë për të shkrirë plastikën dhe më pas për ta aplikuar atë në tablo.

Sipas Buthelezit, kjo është më miqësore me mjedisin sesa përdorimi i flakëve për shkrirjen e plastikës dhe nuk lëshon tym të dëmshëm në atmosferë.

Gjatë gjithë karrierës së tij ai ka përdorur artin e tij për të edukuar dhe filluar biseda mbi mbetjet plastike globale.

“Bota në të cilën jetojmë sot mund të na ofrojë gjithçka që na nevojitet për të bërë art pa prodhuar më shumë”, u shpreh artisti.

Buthelezi ka mbajtur ekspozita, ka marrë pjesë në festivale, ka udhëhequr seminare dhe ka marrë pjesë në rezidenca artistësh duke përfshirë Gjermaninë, SHBA-në, Barbados, Egjiptin, Australinë dhe Arabinë Saudite.

“Si artist jam pasqyra e shoqërisë sime. Unë duhet të reflektoj për atë që po ndodh në tokën ku jetoj”, tha ai.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel