23-vjetori i çlirimit të Kosovës/ Osmani dhe Kurti, homazhe në varrin e ish-presidentit Rugova

12/06/2022 10:22

23 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Kjo ngjarje sot do të shënohet me aktivitete të shumta në Prishtinë dhe në komuna të tjera, si homazhe nga krerët shtetërorë te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit Adem Demaçi, Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, nderim te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë.

“Në këtë ditë shprehim falënderimin dhe përkuljen tonë para kontributit të të gjithë qytetarëve. Filluam duke nderuar arkitektin e pavarësisë, presidentin historik Ibrahim Rugovën, i cili e bëri të qartë vullnetin e popullit të Kosovës para gjithë botës duke ndërtuar kështu ura miqësie që edhe sot e kësaj dite i shërbejnë Kosovës për të ecur përpara”, tha presidentja Osmani.

Edhe kryeministri Albin Kurti ishte në homazhe, ku pati një mesazh për presidentin Rugova.

“Nuk mund ta paramendojmë humanitetin, durimin, qetësin në politikë pa presidentin Ibrahim Rugova, i cili para se të bëhej president për herë të parë para 30 viteve, ishte intelektual i angazhuar i cili me insistimin e tij dha kontribut të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve e Kosovës në veçanti”, tha Kurti.

Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.

 

 

Top Channel