RENEA zhvilloi një aksion këtë të enjte në Elbasan për të arrestuar Suel Çelën, por ka arritur të procedojë vetëm rojën e portës së tregut agro ushqimor në Elbasan se i ka kundërshtuar.

Sipas gazetares së Top Channel Dorjana Bezat, gjithashtu janë shoqëruar për verifikim pesë persona, mes tyre edhe Kelmend Xhaferri, i njohur si Kel Çami, të cilit i është revokuar masa.

Xhaferri është përfshirë në përplasjen me armë zjarri në Elbasan gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër të tjerë.

Xhaferri u denoncua nga drejtuesi politik i PD-së në Elbasan, Gazment Bardhi pas përplasjes ditën e Verës.

Mes të plagosurve ishte edhe një efektive e policisë në përpjekje për të parandaluar krimin, Xhensila Sota.

Ky është një operacion në vijim të “Plumbit të artë” që supozohej të vinte pas hekurave anëtarët e 8 grupeve kriminale.

18 persona u arrestuan dhe 14 të tjerë vijojnë ende në kërkim pas mandate-arresteve të kërkuara nga SPAK dhe të aprovuara nga Gjykata e Posaçme.

Duke u bazuar në prova dhe dëshmitë e  Nuredin Dumanit dhe të Henrik Hoxhajt, SPAK jo vetëm shkundi pluhurin e 18 dosjeve enigmatike, por pretendon se zbardhi fije grupesh qe kryqëzoheshin mes disa qytetesh.

Nuk ka më vend për dyshime se u dekonspirua, për aq kohë sa ‘kokat’ e krimit si Talo Çela, Ervis Martini e Suel Çela nuk u arrestuan.

Burime të Top Channel thanë se verifikimet paraprake po kryhen për të kuptuar qëllimin pse u dekonspirua operacioni  që rezulton të jetë  një nga më të mëdhenjtë që ka goditur krimin e organizuar në vend dhe ka hedhur dritë mbi dhjetëra ngjarje të rënda që prej vitit 2011.

Mbi dyshimet për dekonspirim burimet thonë se dy institucionet po përplasen me njëra tjetrën.  Konflikti më i fortë është në Policinë e Shtetit mbasi ky institucion  është në filtrin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policor.

Pavarësisht kësaj, përveç dosjes së SPAK, autoritetet po vijojnë hetimet mbi krime të tjera që vrasësi me pagesë  Nuredin Dumani dyshohet se do të kryente. Dyshimet bazohen mbi prova material të gjetura në banesën e tij për të cilat i arrestuari ende nuk është shprehur.

Një ditë pas operacionit më 20 maj, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore çeli një hetim mbi dyshimet për dekonspirim ndaj gjithë oficerëve të policisë të përfshirë në këtë operacion.

Suel Çela

Kush është Suel Çela?

Suel Çela është akuzuar si njëri nga protagonistët e 18 shtatorit 2017 në qytetin e Elbasanit.

I akuzuar si fillim për vrasje të oficerëve të policisë të ngelur në tentativë, Suel Çela u konsiderua i pafajshëm edhe për veprën e kundërshtimit të forcave. Gjykata tha gjatë vendimit se prokuroria e krimeve të rënda nuk arriti të vërtetojë me prova përfshirjen e Suel Çelës në ngjarjen e tregut agroushqimor.

Prova e gjetur në automjetin “Audi” që shfaqet edhe në kamerat e sigurisë nuk tregon nëse në momentin e ngjarjes ka qenë apo jo i pranishëm Çela.

Bashkë me Endri Çopjen, ai gjithashtu akuzohet për tentativë rrëmbimi të një personi dhe plagosjen e tij, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2013.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA