Zv.kryeministri shqiptar Arben Ahmetaj i ftuar këtë të enjte në ToP Story theksoi se Kosova duhet të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur.

Sipas tij, kjo nismë nuk ka veto dhe Serbia nuk e pengon dot Kosovën dhe anasjelltas.

“Open Balkan është e bazuar në katër liritë që BE i ka në themel, gjithë kjo retorikë politike shpesh i largon qytetarët nga detajet e përfitimit që kanë në këtë proces. Të gjitha janë ndërtuar në këto katër liri. Procesi i Berlinit nuk ka instrument financiar, është i bazuar në instrumentet financiarë të BE, ne kemi marrë atë  që kemi negociuar qoftë në grante, qoftë në kredi. Kjo historia që pse Procesi i Berlinit, pse kjo këtu, atë që Serbia mori më shumë Shqipëria më pak, nuk kanë lidhje. Ne kemi marrë nga BE grante, ça janë këto që nuk kanë mbështetje?! Berlini kishte një proces vetoje, ndërsa këtu diskutohet se stërmbullari është Kosova, por janë vendet e tjera. Patjetër që çdo ekonomi do të përfitojë, ajo shqiptare, e Maqedonisë, e Bosnjës, edhe po të jetë Kosova, do të përfitojë edhe Kosova. Është një hap përtej, i ka të katër parimet, nuk ka veto, që do të thotë se Kosovën nuk e pengon dot Serbia dhe anasjelltas. A janë tregjet ndër vedi më të hapura? Po marrëdhëniet politike në Ballkanin Perëndimor janë të ndërsjella janë shumë më të thella. Numrat e vizitorëve në Shqipëri nga rajoni janë rritur, numrat serbë janë dyfishuar në Shqipëri”, tha Ahmetaj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhanë bekimin e tyre për Ballkanin e Hapur përmes të dërguarit të posaçëm, Gabriel Escobar, gjatë takimit të djeshëm.

Edhe Komisioni Europian e sheh Ballkanin e Hapur, gjithashtu  si një hap pozitiv drejt integrimit.

Kosova refuzon të bëhet pjesë e kësaj nisme, pasi e quan nismë të Serbisë.

Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi  për herë të parë iu bashkuan nismës në rolin e vëzhguesit. Dritan Abazoviç dha sinjale për një hap më shumë në të ardhmen e afërt.

 

 

Top Channel