Vladimir Andonov, një nga mercenarët më famëkeq të Vladimir Putinit, i pagëzuar madje edhe si “xhelati” i tij thuhet të jetë vrarë nga një snajper ukrainas.

Mediat britanike thonë se 44-vjeçari  nga rajoni Buryatia i Lindjes së Largët të Rusisë, ishte pjesë e grupit famëkeq Wagner të mercenarëve ruse.

Besohet se ai është qëlluar për vdekje teksa luftonte në Kharkhiv, në lindje të Ukrainës. Nofkën “Xheklati” thuhet se e fitoi për shkak të taktikave brutale luftarake që ka përdorur gjatë luftimeve në Ukrainë dhe në misionet e mëparshme në Siri dhe Libi.

Operativët e Grupit Wagner janë të gjithë ish-parashutistë apo forca speciale dhe akuzohen për kryerjen e krimeve të luftës në të gjithë globin. Vdekja e tij u raportua fillimisht nga botimi rus Moskovsky Komsomolets, i cili shkroi: “Njoftohet vdekja në Ukrainë e Vladimir Andonov, i njohur më mirë si Vaha”.

Ai është vrarë gjatë një misioni zbulimi së bashku me një shokun e tij, me shumë gjasë i goditur nga një snajper.  Andonov besohet të jetë përfshirë në vrasjen e robërve ukrainas të luftës, si dhe në masakrat e  civilëve në Donbas.

Ndërkohë, marina e Ukrainës pretendon se flota e anijeve ruse në Detin e Zi, është tërhequr për më shumë se 100 kilometra nga brigjet e vendit, në përpjekje për t`iu larguar rrezes së raketave pas sulmeve të pandërprera të forcave të Kievit.

Në raportin më të ri të ushtrisë ukrainase, theksohet se po bëhen përpjekje për ta rikthyer kontrollin në veriperëndim të Detit të Zi, në brigjet e të cilit rusët patën zbarkuar sistemet raketore, përkatësisht në Krime dhe Kherson.

Top Channel