Kapet 4.3 ton kokainë! Goditet grupi kriminal “Clan del Golfo” në Itali, shpërndanin lëndën narkotike në disa shtete të Europës

07/06/2022 08:45

4.3 ton kokainë  dhe dy milionë euro para cash janë sekuestrua në Itali, në një mega-operacion nga policia, që goditi një organizatë kriminale.

Policia njofton se ka shkatërruar organizatën “Clan del Golfo” , më e rëndësishmja mes narkotrafikantëve kolumbianë. Kreu i këtij grupi Dario Antonio Usuga David, është arrestuar dhe është ekstraduar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Janë lëshuar urdhër-arrestet për 38 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali, Slloveni, Kroaci, Bullgari, Holandë dhe Kolumbi.

Sasia e sekuestruar e lëndës narkotike, që vlerësohet të jetë paguar për rreth 96 milionë euro nga grupet e blerësve kriminalë është ndër më të mëdhatë e kapura ndonjëherë në Europë. Në tregun italian, shitjet me pakicë do të kishin arritur më shumë se dyfishi i kësaj vlere, duke kapur një çmim prej të paktën 240 milionë euro, sipas medieve italiane.

Në këtë operacion, u evidentuan 19 “dërgesa të kontrolluara” radhazi, midis majit 2021 dhe majit 2022, falë të cilave u identifikuan ndërmjetësues të rëndësishëm në sistemin botëror të trafikut të drogës dhe një numër i madh transportuesish që operojnë brenda dhe jashtë Italisë.

Top Channel