SHBA akuzon Abramoviç për shkelje të sanksioneve: Dërgoi avionë në Rusi

06/06/2022 22:48

Autoritetet amerikane paditën të hënën biznesmenin rus Roman Abramoviç duke e akuzuar atë për eksportimin e dy avionëve amerikanë pa licencë në Rusi, në kundërshtim me sanksionet e vendosura nga SHBA-të ndaj Moskës, si përgjigje ndaj agresionit të saj në Ukrainë.

Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë zoti Abramoviç në shkurt kishte vënë fëmijët e tij me shtetësi ruse si përfitues të “entiteteve guaskë” që zotëronin aeroplanët Boeing 787 Dreamliner dhe Gulfstream G650 ER, ndonëse vazhdonin të ishin nën kontrollin e tij.

Prokurorët federalë në Manhattan po kërkojnë tashmë të konfiskojnë dy avionët, sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë.

Akuzat vijnë pasi autoritetet amerikane vazhdojnë të ushtrojnë trysni ndaj biznesmenëve të fuqishëm që kanë lidhje të afërta me presidentin rus Vladimir Putin për të bindur Moskën që të ndalë veprimet e saj në Ukrainë, të cilat Kremlini i quan një operacion të posaçëm ushtarak. Shtetet e Bashkuara nuk kanë vendosur sanksione ndaj zotit Abramoviç.

Top Channel